Transmetuar më 11-11-2014, 22:18

Në një intervistë për “France Football”, Arjen Robben zbulon disa nga sekretet e skemave të Bayernit të Mynihut, por edhe mënyrën se si punon trajnerin Pep Guardiola.

“Ai është i sëmurë. Mund të të flasë për taktikën e ndeshjes edhe në tre të mëngjesit. Është më fleksibël me sistemet e lojës dhe arrin t’i aplikojë shumë mirë gjatë një ndeshjeje të vetme, ç’ka na bën më të paparashikueshëm.

Unë personalisht jam përmirësuar shumë në çdo repart që mund të luaj”.

Me katalanasin në stol, holandezi ka larguar edhe mallkimin e dëmtimeve që kanë eklipsuar një pjesë të madhe të karrierës së tij. “Më ka mësuar të lëviz në mënyrë më inteligjente dhe spontane.  Që i vogël më pëlqente të kaloja kundërshtarët.

Driblimi është i gjithë çështje ritmi. Në të majtë kam gjithmonë objektiv për t’u spostuar drejt qendrës ku kërkoj goditjen.

Në atë moment ritmi bëhet i frikshëm. Edhe pse kundërshtari mund ta kuptojë lëvizjen, instikti im më lejon të bëj diferencën.

Një kundër një është mënyra më e thjeshtë për të shkuar direkt në portë. Duhet të besosh te vetvetja dhe te shokët e skuadrës. Është çështje ekuilibri, por e pranoj që këmba e djathtë nuk më shërben shumë”.

Në Romë, Bayerni i Mynihut u prezantua me një skemë efikase, duke regjistruar edhe një nga fitoret më të thella në historinë e Champions League.

“Atë ndeshje e kishim përgatitur në perfeksion. Është një nga ato ndeshje që e mban mend gjithë jetën”. Një jetë në futboll ajo e Robben, i cili nuk dëshiron të heqë dorë nga ëndrra e Topit të Artë.

“Nuk ka qenë asnjëherë obsesion për mua por është një trofe individual që të bën të ndihesh krenar.

Nuk më pëlqen të më krahasojnë me të tjerët, por Messi dhe Cristiano Ronaldo janë dy mostra. Janë dy lojtarë superiorë ndaj çdokujt”.

Tashmë në moshën 30-vjeçare, holandezi kthen kokën pas por nuk dëshiron të ndryshojë asnjë detaj të jetës së tij. “Jam shumë i kënaqur me karrierën time. Kam luajtur për klube të mëdha dhe jam stërvitur nga trajnerë të mëdhenj.

Te Bayerni arrita majat. Nuk kam qenë asnjëherë kaq shumë i lumtur. Kam ende disa sezone përpara dhe nuk kam asnjë arsye të mendoj për një destinacion të ri”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit