Transmetuar më 11-11-2014, 21:48

Lorik Cana është personazhi më i njohur i përfaqësueses kuqezi për opinionin sportiv francez, pasi në karrierën e tij futbollistike ka spikatur pikërisht në Francë, fillimisht me Paris Saint Germmain e më pas te Marseille.

Në prag të miqësores me kombëtaren e Gjelave në stadiumin e Rennes, mediat franceze sjellin prononcimin e kapitenit kuqezi për këtë përballje luksi, sikurse është edhe sfida e 18 nëntorit me Italinë.

Sipas Canës, Franca mbetet një skuadër e madhe dhe vjen pas një periudhë pozitive në Brazil 2014.

Ajo do të jetë favoritja kryesore për të triumfuar në Euro 2016 edhe për faktin se luan në shtëpinë e saj.

Cana shprehet se Shqipëria nuk është mësuar të luajë me të tillë kundërshtarë në sfidat miqësore, ku përfshin edhe 90 minutëshin me Italinë, duke i cilësuar, ndeshje prestigji për kuqezinjtë e De Biasit.

Për lidhjen e veçantë që ka me qytetin e Marsejës, 30-vjeçari shprehet se do të dëshironte që Francë – Shqipëri të luhej në Velodrome.

Për herë të fundit Shqipëria ka qenë në të njëjtin Grup me Francën në eliminatoret e Euro 2012, ku më emocionues ishte takimi i “Qemal Stafës” më 2 shtator të 2011, që përfundoi me fitoren 2-1 të skuadrës së Laurent Blanc.

Cana shprehet se Shqipëria e vuri në vështirësi serioze Francën, por u ndëshkua nga dy gola të thjeshtë, që në fund u dhanë tri pikëve kundërshtarëve.

Në fund kapiteni kuqezi kujton se në këtë miqësore do të thyejë rekordin e futbollistit me më shumë ndeshje me kombëtaren, të cilin aktualisht e ndan me Altin Lalën me 79 prezenca në përfaqësuese.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit