Transmetuar më 11-11-2014, 21:42

Brukseli e cilëson si pikë kthese, vizitën historike të kryeministrit Edi Rama në Beograd. Përfaqësuesja e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federika Mogerini është shprehur se një hap i tillë shënon ndryshim pozitiv për dialogun rajonal në Ballkanin Perëndimor.

"Vizita e kryeministrit Edi Rama në Serbi duhet të përfaqësojë një pikë kthese në marrëdhëniet midis dy vendeve. Ne presim që të dy liderët të tregojnë vendosmëri të përtërirë dhe guxim politik, në mënyrë që të shohin drejt të ardhmes për të rindërtuar marrëdhëniet pas kaq vitesh. Kjo mund të shënojë një ndryshim pozitiv për dialogun rajonal në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Maja Kocijançiç, Zëdhënëse e Mogerinit.

Në kontekst të vizitës së kryeministrit Rama në Preshevë, Brukseli i bëri thirrje Beogradit zyrtar për të nxitur zhvillimin e këtij rajoni.

“Për sa i përket Luginës së Preshevës, Bashkimi Evropian vlerëson se qeveria serbe duhet të vazhdojë përpjekjet për të nxitur zhvillimin ekonomik të këtij rajoni. Edhe ne si BE ofrojmë ndihmë për Serbinë jugore përfshi komunat e banuara me shqiptarë etnik”, tha Maja Kocijançiç, Zëdhënëse e Mogerinit.

Nga ana tjetër edhe mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar vëmendje të veçantë vizitës së Ramës në Beograd. Thuajse të gjitha shkruanin se pas rreth 70 vjetësh, vizita e parë e një kryeministri shqiptar shndërrohet në zënkë diplomatike.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit