

Tiranë, 11 nëntor 2014, NOA.al- Në ditët e para të masakrës me katër viktima, familja e Kostandin Xhuvanit u tregua e tërhequr ndaj tij, duke bërë që në seancën për masën e sigurisë ai të përfaqësohej nga një avokat i caktuar nga shteti.
Por siç deklaroi deputetja e dorëhequr Luiza Xhuvani, “Kostandini është djali im dhe do mbetet djali im”, duket se e ka mbajtur fjalën.
Familja i ka gjetur avokat 25 vjeçarit, i njëjti që e ka mbrojtur edhe para disa vitesh, kur Kostandini u arrestua për vrasjen e një tjetër të riu.
Ardian Leka është avokati i përzgjedhur për të mbrojtur Kostandin Xhuvanin, avokat të cilin e ka kërkuar vetë i pandehuri, i cili akuzohet për vrasjen e katër personave. Për të thelluar më tej hetimet lidhur me krimin e katërfishtë e ndodhur në Rrugën e Elbasanit në ambientin e lokalit “Ante Grand”, Prokurori i çështjes më 14 nëntor do të takojë Xhuvanin për ta pyetur sërish.
Ndërkohë avokati Leka ka kërkuar të njihet me aktet e hetimit deri më tani dhe ka marrë në dorë çështjen e të dyshuarit si autor i katër vrasjeve, i cili është bërë sërish klienti i tij.
Kostandin Xhuvani akuzohet për vrasjen e Edison Jahos, 36 vjeç, Enea Xhaj, 38 vjeç, Arber Demiraj, 19 vjeç si dhe Giaampaolo Azzola, 53 vjeç, me shtetësi dhe kombësi italiane./k.k/a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





