Transmetuar më 11-11-2014, 14:57

Tiranë, 11 nëntor 2014, NOA.al- Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj deklaroi se me buxhetin e ri nuk do të ketë më vonesa për pagesat e shtresave në nevojë.

Deklarata e ministrit Veliaj u bë gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë i cili miratoi në parim buxhetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për vitin 2015.

Gjatë prezantimit të buxhetit për anëtarët e komisionit, Veliaj, deklaroi se ky buxhet siguron rritje të mbështetjes së shtetit për shtresat në nevojë, si dhe përmbush nevojat e ministrisë për prioritetet e vitit 2015.

Sipas tij, buxheti i parashikuar për MMSR është në vlerën 760 milionë dollarë ose 5.1% të GDP-së, dhe duke përfshirë edhe kontributet për sigurimet shoqërore, ai përbën rreth 30% e buxhetit total të shtetit.

“Ndryshe nga pesë vitet e shkuara, ku çdo vit MMSR mbarte mbi 20 milionë dollarë detyrime nga skema e mbrojtjes sociale në atë të vitit në vijim, për herë të parë këtë vit të gjitha këto detyrime do të përmbushen rregullisht muaj për muaj”, tha ai.

Ai shtoi se për vitin 2015, buxheti i MMSR në mbështetje të personave me aftësi të kufizuar dhe në ndihmë ekonomike ka një rritje prej 10 milion dollarë, duke shkuar nga 19 miliardë lekë që ishte këtë vit në afro 20 miliardë lekë për vitin 2015.

Në vijim Veliaj bëri me dije se gjatë këtij viti do të ketë edhe një rritje të veçantë prej 36 dollarë në vit për çdo familje me fëmijë që ndjek rregullisht shkollën.

Lidhur me reformën në pensione, ai tha se vitin tjetër do të shtohen përpjekjet për përmirësimin e qëndrueshmërisë financiare të skemës së pensioneve, duke synuar uljen e subvencionit buxhetor.

“Për vitin 2015, subvencioni i shtetit për Sigurimet Shoqërore parashikohet të jetë në vlerën 47 miliard lekë dhe nuk shënon rritje nga viti i mëparshëm, madje paraqitet me ulje në krahasim me tavanet fillestare të alokuara prej 3 miliard lekë. Rritja e numrit të kontribuesve dhe aplikimi i skemës së re të pensioneve, rrit eficençën dhe qëndrueshmërinë e sistemit, duke maksimizuar vetfinancimin dhe minimizuar subvencionin buxhetor”, tha Veliaj.

Sa i takon arsimit dhe formimit profesional, ministri deklaroi se buxheti për vitin 2015 shkon në rreth 19 milionë dollarë dhe me ndihmën edhe të partnerëve ndërkombëtarë, sistemi i arsimit profesional do të përfitojë rreth 50% më shumë fonde investimi se një vit më parë.

Lidhur me punësimin ai shtoi se Fondi i Nxitjes së Punësimit është dyfishuar në 4.5 milionë dollarë, ndërkohë që brenda këtij viti do të hapen edhe dy zyra të reja pune, duke e çuar në 12 të tilla në të gjithë vendin.

Nga ana tjetër, ai përmendi edhe rritjen e fondit për ish të përndjekurit me 11% krahasuar me një vit më parë, ose nga 18 milion dollarë në 20 milionë dollarë. Veliaj kujtoi se brenda nëntorit nis shpërndarja e këstit të tretë për ish të burgosurit që janë gjallë, ndërsa në dhjetor do të fillojë kësti i katërt. i cili është rritur me 4.6%, ose 33 milion dollarë, krahasuar me një vit më parë./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit