

Pas 12 javë kampionati, në një sezon spektakolar dhe të luftuar, nuk mund të mungojnë edhe polemikat mbi gjykimin.
Si qënie njerëzore edhe arbitrat mund të gabojnë, edhe pse në disa raste është e vështirë të besohet se gabimet janë njerëzore.
Pas polemikave mbi gjykimin në supersfidën e javës së fundit Skënderbeu-Partizani, kemi një tabelë me penalltitë dukshme të kontestueshme në 12 javët e deritanishme, duke përfshirë vetëm 6 skuadrat e para, raste të cilat në moviolë janë pranuar si të gabuara nga gjyqtarët.
Duke u marrë sipas renditjes në klasifikim shihet se Tirana ka dy penallti të pa dhëna në favor, në transfertat ndaj Vllaznisë dhe Teutës.
Ndërkohë bardheblutë nuk kanë asnjë penallti kundër të kontestuar, apo të pa dhënë për kundërshtarin.
Për Kukësin janë dy penallti të pa dhëna në transfertë, ndaj Skënderbeut dhe ndaj Lacit. Përsa i përket statistikave të tjera nënkampionët nuk kanë asnjë penallti të pa dhënë në favor të kundërshtarit ose të dhënë por të pasaktë.
Skënderbeu nuk ka asnjë penallti të pa dhënë në favor, ka një të pa dhënë për kundërshtarin, pikërisht me Kukësin në shtëpi, dhe ka një penallti të dhënë por që nuk ekziston ndaj Partizanit.
Për Partizanin ka një penallti të pa dhënë ndaj Vllaznisë, ka një penallti të pa dhënë kundër Apolonisë për prekjen me dorë të topit nga Vrapi, dhe ka një penallti të dhënë kundër por të pa qënë, ajo ndaj Skënderbeut.
Laci nuk ka asnjë penallti të pa dhënë në favor por ka tre kundër, pasi Kukësi, Apolonia dhe Flamurtari pretendojnë t’u jetë mohuar një penallti ndaj kurbinasve.
Pikërisht penalltia e pretenduar ndaj Laçit është e vetmja që vlonjatët pretendojnë t’i jetë mohuar nga gjyqtarët.
Me tabelën përpara është e lehtë të kuptosh skuadrat e penalizuara nga gabimet amatoreske të gjyqtarëve dhe skuadrat më të favorizuara, pasi nëse do të kishim vendime të drejta, klasifikimi i deritanishëm mund të ishte ndryshe.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





