







Tiranë, 10 nëntor 2014, NOA.al/Arjola Ymeraj–(Përditësuar më 13:30)Konferenca e përbashkët në Beograd mes Kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe atij serb Aleksander Vuçiç nuk ka kaluar pa tension, ku pika e nxehtë mes dy vendeve “Kosova” ka përballur jo lehtësisht dy homologët.
Kreu i qeverisë serbe e cilësoi Kosovën si pjesë të Serbisë ndërsa përmendjen e saj në takimin me kreun e qeverisë shqiptare e cilësoi si provokim. Por fjalët e tij kanë marrë reagimin e menjëhershëm të Ramës, i cili u shpreh se pavarësia e Kosovës është e pamohueshme.
Kryeministri Vuçiç mbajti fjalën çelëse duke thënë se ky është një takim i rëndësishëm edhe për Serbinë edhe për Shqipërinë, pasi pas shumë vitesh takohen dy kryeministrat e dy vendeve.
Ai shprehu bindjen se përmes pikave të përbashkëta do të gjenden pikëtakime dhe është arritur të nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi për të dyja palët.
“Nëpërmjet bashkëpunimit mund të avancojmë drejt Bashkimit Europian, për një kapitull të ri jo nga e shkuara por drejt së ardhmes”, u shpreh Vuçiç.
Ai deklaroi se i qëndron bindjes se "Kosova mbetet Serbi". Mirëpo pavarësisht incidentit në fushën e futbollit kreu i qeverisë serbe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me Shqipërinë dhe për të ecur përpara.
Kryeministri Vuçiç i pyetur lidhur me incidentin në ndeshjen Shqipëri- Serbi deklaroi se ngritja e dronit ka qenë e mirëorganizuar, duke shtuar se dënohet si akt.
Ai shprehu keqardhje që flitet për Kosovën edhe pse nuk ka qenë e parashikuar që të flitet për këtë temë, duke u shprehur se nuk e priste një provokim të tillë, “Nuk do t’ia lejoj askujt ta ulë Serbinë këtu në mes të Beogradit, më vjen keq që ka folur për tema që s’ishte parashikuar të flisnim”.
Nga ana e tij Rama deklaroi se në rast të vizitës së Vuçiç në Shqipëri, mikpritja do të jetë reciproke dhe se Shqipëria do të ndjejë keqardhje në rast se ky qëndrim do të jetë i njëjti, pasi Kosova e pavarur tha ai, është realitet i pamohueshëm dhe duhet pranuar sa më parë si i tillë.
“Sa për Kosovën kemi dy qëndrime krejt të ndryshme, por realiteti është një dhe krejt i pandryshueshëm. Kosova e pavarur, e njohur deri tani nga 108 vende të ndryshme të botës dhe e mbështetur nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, është një realitet i pamohueshëm dhe i patjetërsueshëm rajonal dhe europian. Ajo duhet respektuar dhe duhet bërë pjesë, ashtu siç po bëhet, e integrimit europian, si dhe euroatlantik dhe siç e kam theksuar në Samitin e fundit të NATO-s, dua ta përsëris edhe këtu, hapur dhe sinqerisht; Njohja e Kosovës nga vendet europiane që ende nuk e njohin atë është në radhë të parë, një çështje sigurie europiane. Le të jemi të vërtetë deri në fund, pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm, i ka dhënë më shumë qartësi, perspektivës europiane të rajonit dhe e ka kthyer në strategjik, bashkëpunimin mes shqiptarëve në tërësi dhe serbëve në veçanti. Çdo perceptim i ri i Serbisë ndaj këtij realiteti është më shumë sesa i mirëpritur prej nesh”, deklaroi Rama.
Më herët Kryeministri Edi Rama tha se në Beograd ngrihet flamuri kombëtar i Shqipërisë dhe nderohet himni pas 68 vitesh, duke e vlerësuar diçka të tillë.
“Sa shumë histori kemi ndarë sëbashku, pa qenë kurrë të afër me njëri-tjetrin dhe sa shumë varet e ardhmja jonë në çfarë do të mundemi të bëjmë sëbashku në rrugën e bashkimit me Europën që veç e veç do të jetë shumë më e vështirë për secilin prej nesh në Ballkan. Do të na duhet vizion, por sidoqoftë, jo më shumë se sa vizioni madhështor që transformoi vetë Europën. Do të na duhet kurajë, por sidoqoftë, jo më shumë se sa kurajoja që ndërtoi rrugën e re të paqes dhe të prosperitetit europian, mbi gjurmët e lumenjve të gjakut të derdhur mes të mëdhenjve të Europës. Do të na duhet besim i ndërsjellë, por siodoqoftë, nuk do të jemi vetëm, nëse nuk do të lejojmë që historia të ndikojë negativisht marrëdhëniet mes nesh, e për pasojë edhe qëndrimin e Europës ndaj nesh. Vizioni i Europës së Bashkuar na ka bashkuar më në fund të gjithëve në rrugën e paqes me njëri-tjetrin, ndërsa paqja do të na japë të gjithëve kurajë për t’u ndarë nga rruga e vjetër e një historie që vijon të ushqejë kaq shumë mosbesim ndaj njëri-tjetrit”, u shpreh Rama.
Nga ana e tij Kryeministri Rama u shpreh se politika e shteteve nuk lind, nuk zhvillohet dhe nuk diktohet nga një fushë futbolli, duke nënvizuar se vizita në Beograd tregon për një marrëdhënie të re që synonte të vendoset dhe qeveria e Shqipërisë është e vendosur për ta jetësuar diçka të tillë.
Kreu i qeverisë shqiptare tha se Shqipëria dhe Serbia nuk janë dy vende armike, por se kanë armiq të përbashkët. Ai nënvizoi se realiteti mbetet i pandryshueshëm pavarësisht perceptimeve të ndryshme, por shtoi se kjo gjë nuk do të pengojë që të thuhet në sy ajo që mendohet, ashtu sikundër nuk mund të pengojë bashkëpunimin.
Rama shprehu besimin se gjenerata e re që qeveris sot Serbinë, do t’i shohë dhe do t’i respektojë shqiptarët e Luginës së Preshevës si një urë, me rëndësi strategjike, për lidhjen e fateve europiane, duke shtuar se gëzimi i të gjithë të drejtave, të parashikuara në konventat dhe normat europiane dhe ndërkombëtare prej tyre, është jo vetëm dëshira, por edhe detyrimi kushtetues që pala shqiptare ta kërkojë vijimësisht nga Qeveria dhe institucionet e Serbisë.
Në këtë linjë ai kërkoi që shqiptarët e Luginës së Preshevës të gëzojnë të gjithë vëmendjen e Beogradit zyrtar, për përfaqësimin e tyre në strukturat vendore dhe qendrore, por edhe për zhvillimin ekonomik dhe social të vendbanimeve të tyre, duke shtuar se autoritetet serbe e dinë që shqiptarët e Luginës së Preshevës përfshihen dhe inkurajojnë proceset integruese të Serbisë në Bashkimin Europian, jo vetëm si një mundësi modernizimi dhe europianizimi i Serbisë, por edhe si një rrugë e sigurt për të qenë shoqërisht të barabartë, si dhe për të qenë pjesë vendimmarrjes qendrore, veçanërisht kur bëhet fjalë për fatet e tyre.
Në mbyllje Rama deklaroi se duhet ushqyer paqja, në përmbajtjen konkrete të një bashkëpunimi që do të bëjë paqen mes dy vendeve, një paqe për të cilën ia vlen të jetohet.
Kujtojme se rreth orës 11.00 nisi takimi mes Kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij serb Aleksandër Vuçiç, i cili zgjati afro një orë. Takimi mes tyre u nis me pritjen tradicionale ku u kënduan dy himnet kombëtare dhe për dallim nga pritja në aeroport, në takimin zyrtar nuk mungoi as flamuri kombëtar.
Fajon: Hap i rëndësishëm për rajonin
Anëtarja e Parlamentit Europian, Tanja Fajon, ka përshënetur vizitën e Kryeministrit Edi Rama në Serbi dhe e ka cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për rajonin.
“Vizita e Edi Ramës është një hap i rëndësishëm për rajoni. Përshëndes vizitën historike të Ramës. Hap i guximshëm për të ardhmen e rajonit”, – ka shkruar euro-parlamentarja Fajon.
Majko: Fillim i mirë, për të tjerat flet koha
Ish kryeministri Pandeli Majko e ka cilësuar si një fillim të mirë vizitën e Edi Ramës në Beograd, ndërsa ka shtuar se për të tjerat do të flasë koha.
“Ra ky dron dhe u pamë… Sot për herë të parë serbët mësuan të dëgjojnë me “protokoll”, në shtëpinë e tyre, opinionin e shqiptarëve. Edi Rama vërtetoi vetveten. Vuçiç po ashtu. Fillim i mirë në vizitën e Kryeministrit shqiptar. Për të tjerat fjalën e ka koha”, – shkruan Majko në Facebook.
Frroku: Rama përfaqësoi në mënyrë serioze e dinjitoze vendin
Kryetari i Partisë Kristian Demokrate, Mark Frroku, ka deklaruar se Edi Rama e ka përfaqësuar në mënyrë serioze e dinjitoze vendin tonë në vizitën e tij.
“Në mënyrë të matur, me parime dhe norma evropiane, Rama përfaqësoi në mënyrë serioze dhe dinjitoze Shqipërinë. Një akt i tillë nuk ka ndodhur në këto 23 vjet nga klasa politike shqiptare. Serbia është një fqinj i yni, me të cilin kemi probleme të forta historike, por sheshimi i tyre të bëhet atëherë kur shtetet e Ballkanit të jenë në BE. Zgjidhja mbetet respektimi i vlerave dhe standardeve të familjes evropiane, të cilat i dëshmoi sot më së miri kryeministri i Shqipërisë”, – thotë Frroku në një deklaratë për mediat.
Kryeministri Rama viziton Serbinë
Kryeministri Edi Rama viziton sot Serbinë, duke u bërë i pari Kryeministër shqiptar që viziton Beogradin pas 68 vitesh.
Rreth orësn 9.40 kreu i qeverisë mbërriti në Serbi ku u prit në aeroport nga Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç. Mësohet se gjatë zbritjes së tij në aeroport nuk ishte ngritur flamuri shqiptar. Rama shoqërohet në Beograd nga gjashtë truproja dhe pritja e tij është bërë nën masa të forta sigurie nga toka dhe ajri.
Vizita e tij cilësohet si historike dhe është shënuar me komente të shumta si nga mediat vendase edhe nga ato serbe, veçanërisht pas incidentit të ndeshjes së 14 tetorit mes Serbisë dhe Shqipërisë, në Beograd.
Pas koferencës me homologun serb, në orën 16:00 Kryeministri Rama do të ketë edhe një bashkëbisedim me grupin e gazetarëve shqiptarë që do ta shoqërojnë gjatë kësaj vizite. Në orën 19:35 ai do të pritet nga kryebashkiaku i Beogradit.
Në Beograd, Kryeministri Edi Rama do të flasë edhe për marrëdhëniet ndëretnike mes Shqipërisë dhe Serbisë. Do ta bëjë këtë në një panel të organizuar nga Dushan Janjic dhe Forumi për Marrëdhëniet Etnike, me temë Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Kreu i qeverisë është ftuar për të folur në këtë panel, ku do të jenë të pranishëm intelektualë, biznesmenë, diplomatë, parlamentarë serbë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave. Zoti Janjic konsiderohet si një prej ekspertëve më të mirë serbe në marrëdhëniet ndëretnike dhe njohës i zhvillimeve në rajon. Në axhendën e kreut të qeverisë shqiptare bie në sy mungesa e takimit me Presidentin Tomislav Nikoliç, pasi ky i fundit nuk do të jetë në Serbi, duke shmangur në këtë mënyrë takimin me kreun e qeverisë shqiptare. Po ashtu në axhendë është hequr edhe takimi me kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Serbisë, Maja Gojkoviç.
Ditën e dytë të vizitës, Edi Rama do të ndalet në Luginën e Preshevës. Mësohet se Rama do të pritet me 2000 policë në Beograd, kurse në Preshevë me rreth 200 policë. Pas takimit me krerët vendorë, Rama do të mbajë një fjalim në sheshin qendror të Preshevës e më pas do të ecë në këmbë, ku do të takohet edhe me qytetarë. Ndërsa më pas do të vizitojë edhe maternitetin e financuar pjesërisht nga qeveria shqiptare.
AK protestë për vizitën e Ramës
Pak para nisjes së Kryeministrit Edi Rama nga aeroporti i Rinasit drejt Beogradit, Aleanca Kuq e Zi ka organizuar një protestë.
Në fjalën e tij kreu i AK, Kreshnik Spahiu tha se Rama shkon në Serbi për interesa private dhe se nga vizita e tij nuk përfitojnë shqiptarët.
Sipas tij kreu i qeverisë duhet të kërkojë nga Beogradi falje për incidentin e ndeshjes së 14 tetorit por edhe për të shkuarën. Më tej ai shtoi, “Rama duhet të thotë se Kosova është Shqipëri”./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Fotogaleri
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





