Transmetuar më 09-11-2014, 19:10

Nga kontestimi para kamerave, te një reagim zyrtar. Partizani shpall “non grata” për pjesën e mbetur të sezonit, gjyqtarin Laver Alla.

Klubi i kuq ka dalë me një notë zyrtare ku konteston me forcë gjykimin e arbitrit kryesor në ndeshjen e javës së 12 me Skënderbeun.

Partizani ka arritur në përfundimin se gjyqtari nga Lushnja bashkë me trupën e ndihmësve prej 5 asistentësh, kanë rezultuar të njëanshëm dhe aspak porfesionistë në vendimet e tyre të marra përgjatë sfidës së luajtur në Korcë, citon Supersport.

Pas këtij konstatimi, klubi i kuq bën të ditur se do ti drejtohet zyrtarisht Federatës Shqiptare të Futbollit, në mënyrë që gjyqtari Laver Alla të mos drejtojë më asnjë ndeshje të  skuadrës së Shpëtim Duros përgjatë këtij sezoni futbollistik.

Komunikata e  Partizanit mbyllet me paralajmërimin se askush nuk mund të nëpërkëmbë dinjitetin, invesitimet, objektivat dhe tifozerinë e këtij klubi me histori e trofe.

Gjyqtari Laver Alla u bë protagonist negativ i ndeshjes mes Skënderbeut dhe Partizanit, që përfundoi me fitoren 3-0 të Korçarëve duke bërë që takimi të përfundojë në mes të debateve jo më tepër për rezultatin në fushën e lojës, por për vendimet arbitrare.

Alla së bashku me ndihmësit e tij fillimisht gabuan në momentin e akordimit të 11 metërshit në favor të Skënderbeut, ndërkohë që pamjet filmike demonstrojnë se ndërhyrja e portierit të Partizanit Dashamir Xhika, ndodhi jashtë kufijve të zonës, ndërkohë që klubi i kuq ka kontestuar edhe momentin e shënimit të golit të dytë të korçarëve, me Tefik Osmanin që duket në pozicion jashtë loje në momentin e marrjes së topit.

Një pyetje e madhe është ngritur pas kësaj ndeshje edhe në lidhje me dizenjimin e arbitrave duke qenë se pavarësisht se ndeshja me Skënderbeun ishte pa asnjë dyshim ndeshja kryesore e javës së 12 të Kategorisë Superiore, për drejtimin e saj nuk u përcaktua asnjë nga 3 gjyqtarët shqiptarë që mbajnë stemën e Fifa-s.

Por pikërisht Alla, i cili në takimin e javës së 3 mes Vllazninsë dhe Tiranës u kontestua për mosakodrimin e një 11 metërshi nga bardheblutë, ndërsa edhe në sezonin e kaluar ka përfunduar në qendër të polemikave në lidhje me ndeshjet Tirana – Skënderbeu 0-1 dhe Skënderbeu- Flamurtari 2-1, ku në të dyja rastet ka dhënë 11 metërsha të çuditshëm në favor të kampionëve në fuqi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit