

Në kryeqytet tregtohen produkte ushqimore pa etiketimin në gjuhën shqipe, por në disa raste, edhe të skaduara, ndonëse kjo është e ndaluar, po t’i referohemi ligjit të ushqimit. Ato i gjen jo vetëm në markete, por edhe në qendra tregtare me emër, ku qytetarët shkojnë posaçërisht për t’u furnizuar me ushqime, pavarësisht distancave të largëta. Përpos këtij problemi, pra mungesës së etiketimit, ndodh që ka produkte ushqimore me një etiketim, i cili nuk është i dallueshëm apo në disa raste i pakuptueshëm, për shkak të përkthimit jo të mirë.
Në qendrat tregtare TEG, QTU, Concord, ETC, Casa Italia, Kristal, City Park, në shumë markete dhe dyqane të tyre pjesa më e madhe e artikujve nuk kanë asnjë informacion në gjuhën shqipe. Tek marketet e elektroshtëpiakeve, gjithashtu nuk gjen informacion të detajuar në gjuhën shqipe. Për më tepër shumica e produkteve që shiten janë në gjuhë goxha larg atyre që njohin shqiptarët, si rusisht, turqisht, arabisht, kineze, serbe, etj.
Te rrobat as që bëhet fjalë që të kërkosh informacion në gjuhën shqipe.
Në bazë të vëzhgimit të kryer rezulton se një pjesë e produkteve ushqimore që tregtohen në vendin tonë nuk kanë etiketimin përkatës, edhe pse ky është detyrim ligjor.
Shumë produkte nuk përmbajnë asnjë lloj informacioni në gjuhën shqipe, në lidhje me përbërjen apo kushtet në të cilat ruhet dhe konsumohet ky produkt ushqimor.
Një tjetër produkt është edhe lëngu i frutave, tek i cili është mjaft e vështirë të lexohet përmbajtja.
Në një tjetër produkt përkthimi është i pakuptueshëm për konsumatorët, të cilët shpeshherë përballen me mungesë informacioni në lidhje me atë çka konsumojnë.
Burime zyrtare nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, organi përgjegjëse për këtë çështje, bëjnë me dije se në rastet kur konstatohen probleme të tilla, bëhet sekuestrim i mallit, gjobitje ndaj biznesit që e tregton si dhe lënie të procesverbalit, për të ndrequr parregullsitë që janë konstatuar.
Më tej, burime pranë këtij institucioni thonë se gjobat në rastet kur konstatohet problemi variojnë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë të reja. Ato evidentojnë se vetëm gjatë tre muajve të fundit janë gjobitur 6 biznese, për shkak të mungesës së etiketimit në gjuhën shqipe, një element thelbësor për një produkt ushqimor që tregtohet brenda vendit tonë.
Të gjithë importuesit paralajmërohen që të mos mungojë etiketimi, në momentin e ardhjes së produkteve në Shqipëri. Burime pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit deklarojnë se situata është përmirësuar ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit dhe rrallë ndodh që të ketë produkte ushqimore pa etiketim në gjuhën shqipe.
Ligji i ushqimit parashikon që etiketimi duhet të jetë në gjuhën shqipe, i dallueshëm dhe i lexueshëm nga të gjithë konsumatorët. Gjithashtu ai duhet të shoqërohet me disa elemente të tjera si data e skadencës, kushtet në të cilat duhet të bëhet ruajtja para dhe pas përdorimit e shumë detaje të tjera.
“Në kushtet kur produktet ushqimore nuk kanë asnjë informacion në shqip, kjo përbën një shkelje të rëndë të ligjit, pasi konsumatori e ka të pamundur të orientohet në lidhje me përmbajtjen e këtyre produkteve dhe kushtet në të cilat këto produkte duhet të ruhen apo të konsumohen. Etiketimi i produkteve ushqimore të destinuara për konsum njerëzor është një kusht i domosdoshëm të cilin, në bazë të ligjeve në fuqi, duhet ta aplikojnë të gjithë operatorët e biznesit ushqimor. Kjo është një masë mbrojtëse dhe parandaluese e marrjes së sëmundjeve nga produktet ushqimore por njëkohësisht parandalon dhe helmimin njerëzor apo edhe çdo lloj efekti tjetër anësor, i cili mund të shkaktohet nga përbërësit e shënuar në etiketë apo qoftë dhe nga kalimi i datës së skadencës”, thuhet në ligjin e AKU-së.
Rregullorja për etiketimin e produktit ushqimor parashikon që ky i fundit duhet të përmbajë emrin e produktit, listën e përbërësve, sasinë e tyre, peshën neto, kushtet e ruajtjes, datën e prodhimit dhe skadencës, gjithashtu vendin e prodhimit, udhëzimin e përdorimit si edhe nëse ka përmbajtje alkooli.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





