Transmetuar më 09-11-2014, 18:01

Nga Andrea Stefani

Operacionet e Policisë së Shtetit për asgjësimin e të mbjellave me kanabis në të gjithë Shqipërinë, mbështetja prej saj e shkatërrimit të ndërtimeve pa leje apo edhe për ndëshkimin e atyre që vjedhin energjinë elektrike, ka marrë deri edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, por jo atë të një pjese të opozitës, e cila e ka akuzuar dhe vazhdon ta akuzojë qeverinë për krijimin e një “shteti policor”. Akuza është tejet e pafaktuar, por bëhet edhe alogjike kur paralel me të, opozita e PD-së ngre dhe një akuzë të dytë, atë të rritjes së kriminalitetit në vend. Sepse është provuar historikisht që “shteti policor” nga njëra anë, dhe kriminaliteti i rrugës, madje dhe ai i mafies nga ana tjetër,  vështirë se mund të bashkëjetojnë.

***

Të kuptuarit e absurditetit të akuzave për “shtet policor” që i bëhen sot qeverisë kërkon paraprakisht të dihet se ç’do të thotë “shtet policor”. Dhe në fjalorin më të thjeshtë mund të zbulosh se një shtet quhet policor kur qeveria ushtron kontroll shtypës dhe të egër mbi jetën ekonomike, shoqërore dhe politike. Se shteti policor manifeston, tipikisht, elementë të totalitarizmit dhe të kontrollit të shoqërisë dhe në të nuk ka thuajse asnjë dallim mes ligjit dhe ushtrimit të pushtetit politik nga ekzekutivi. Mund të jepen edhe përkufizime të tjera, por për konkretësi mund të themi se shteti totalitar i Enver Hoxhës ishte një shtet tipik policor. Dhe siç e kanë provuar vetë shqiptarët, nën shtete të tilla policore krimi i rrugës thuajse zhduket fare, ndërsa për krimin mafioz apo atë të organizuar, në kuptimin që i përdorim ne sot, as nuk mund të flitet fare. Pse ndodh kjo? Sepse diktaturat, si jo pak gjëra, monopolizojnë edhe krimin. Vetë diktatura është, në thelbin e saj, një organizatë kriminale, një shfaqje e krimit të organizuar. Vetëm ajo mund të bëjë trafiqe e kontrabandë, mund edhe të vrasë “në emër të popullit”, por askush tjetër. Zhdukja e krimit të rrugës apo mafioz në diktatura është produkt jo i zhvillimit human të shoqërisë, por i terrorizimit të vetë kriminalitetit nga regjimi i terrorit.

***

Jo pak shqiptarë mund të shikonin me lakmi statistikat e krimit në kohën e diktaturës. Edhe një krim si ai i gjakmarrjes që sot po tregohet mjaft rezistent, në atë kohë u ndal. Por nuk u zhduk. Në fakt u fsheh, u struk kutullaç si një gjarpër duke pritur, siç ka rrëfyer edhe Kadare në një nga librat e tij, shkrirjen e akujve të diktaturës. Dhe kur dimri i diktaturës komuniste mbaroi, për krimin erdhi stina e lulëzimit. Sepse shteti diktatorial, policor nuk u zëvendësua me shtetin ligjor. Prirjet e forta autokratike të Sali Berishës deri në instalimin e një shteti tjetër policor (angazhimi në ato vite i SHIK-ut si polici e fshehtë është mjaft domethënës) menjëherë pas atij komunist nuk arritën, për një sërë shkaqesh, të dominojnë kriminalitetin dhe aq më pak, ta monopolizojnë atë. Berisha qe i pari politikan që hapi shtegun e bashkëjetesës së politikës dhe qeverisjeve me krimin në një lloj leverdie reciproke që gjente mishërimin e vet më të spikatur gjatë fushatave elektorale. Një shteg që, në një masë apo në një tjetër, u detyruan ta ndjekin edhe qeveritë socialiste që pasuan Berishën pas rënies në vitin ’97.

***

Edhe pas rikthimit në pushtet në 2005, Berisha u përqendrua më shumë në kapjen e autokratike të pushteteve ndërkohë që krimit, si të organizuar si atij të paorganizuar, iu la fushë thuajse krejt e lirë. U bë fillimisht një luftë butaforike kundrejt disa bandave lokale që u përdor më pas, si gjethe fiku për të maskuar paqen e qeverisë me botën e krimit dhe të mafies. Korrupsioni i madh elitar i shoqëruar me kontrabandën e armëve prevaluan si asnjëherë më parë, duke çuar në tragjedi si ajo e Gërdecit ndërkohë që kultivimi i parcelave të drogës bëhej aq sheshit dhe aq i pangacmuar, sa brenda pak vitesh Shqipëria u shndërrua në “Kolumbi” të Ballkanit dhe Europës. Por një nga mëkatet më të rënda është tolerimi që i është bërë shkatërrimit të mjedisit, lumenjve, pyjeve, ndërtimeve pa leje e me leje jashtë çdo sensi urbanistik, si dhe tolerimi i vjedhjes së energjisë elektrike. Një tolerancë kriminale dhe antishtet që ka rekrutuar në radhët e botës së krimit një pjesë të popullsisë.

***

Koshiente se shteti nuk mund të ketë ardhmëri në Shqipëri me të tilla premisa alarmante antishtet, qeveria “Rama”, që në vitin e saj të parë ndërmori operacione të suksesshme kundër parcelave të drogës, kundër ndërtimeve pa leje, si dhe vjedhjes së energjisë elektrike. Dhe pikërisht ata që i toleruan këto krime për 8 vjet me radhë, ulërijnë sot dhe e stigmatizojnë këtë përpjekje për instalimin e shtetit ligjor, si instalim të “shtetit policor”. Por sado e fortë të jetë goditja e policisë ndaj krimit, sado prezente të jetë mbështetja e saj në shkatërrimin e ndërtimeve pa leje apo pengimin e vjedhjeve të energjisë, ato nuk janë kurrë dukuri të “shtetit policor” sa kohë që bëhen në respekt të ligjit dhe interesit publik. Shtet policor kemi vetëm atëherë kur policia keqpërdoret nga qeveria për të dhunuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Prandaj në ulërimat e opozitës për “shtet policor” ndihet fare qartë jo vetëm dëshpërimi i një klani të rënë nga pushteti dhe që i pasuruar korruptivisht tmerrohet nga drejtësia e shtetit ligjor, por edhe dëshpërimi dhe urrejtja e botës së krimit të goditur në një prej aktiviteteve të saj më vitale! /Gazeta Shqip/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit