Transmetuar më 09-11-2014, 14:25

Tiranë, 9 nëntor 2014, NOA.al – Kryeministria ka reaguar kundrejt akuzave të Partisë Demokratike në lidhje me atë që kjo parti e ka cilësuar si krimi financiar me dekorin e qytetit. Kryeministria, në një njoftim për mediat bën me dije se të gjithë, përfshirë partitë politike, Presidentin e Republikës dhe Bashkinë e Tiranës, kanë rënë dakord më parë për procedurat që do të zhvilloheshin.

“Propozimi për të ndjekur këtë procedurë është bërë nga Komisioni Shtetëror për vizitën e Atit të Shenjtë, komision ku u përfaqësuan të gjitha institucionet më të larta shtetërore, përfshirë dhe institucionin e Presidentit të Republikës, partitë parlamentare dhe Bashkinë e Tiranës, të cilët kanë shprehur dakordësinë e plotë me këto procedura në çdo mbledhje dhe për çka është dokumentuar çdo element”, – thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Më herët ky institucion shpreh keqardhje që Partia Demokratike vazhdon të hedhë baltë mbi pritjen madhështore që populli shqiptar i rezervoi Papa Françeskut. Kryeministria thotë se nuk ka asnjë fakt, asnjë seriozitet, madje asnjë përpjekje për t’a kamufluar shpifjen e vrazhdë të radhës, po vetëm përsëritje të një recitimi banal para kamerave.

Sipas Kryeministrisë, të akuzosh pa fakte është më shumë se sa e padenjë qoftë edhe për Partinë Demokratike, e cila, sipas institucionit të sipërpërmendur “nocionin e dinjitetit e ka tepër të mjegullt”.

“Duke qenë se qeveria e re transparencën përpara publikut e ka detyrim të patjetërsueshëm, është e udhës të sqarohet njëherë e mirë sa më poshtë:

Procedura krejt e ligjshme e ndjekur nga Autoriteti Kontraktor, në këtë rast Ministria e Kulturës, bazohet në gërmen “c” të pikës 2 të nenit 33, të ligjit numër 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar.

Ky ligj parashikon pikërisht rastet kur Institucioni Publik gjendet në kushte të nevojës ekstreme dhe e ka të pamundur të ndjekë procedurën normale të prokurimit.

Në rastin në fjalë, duke qenë se programi i vizitës së Atit të Shenjtë dhe të gjithë elementet e dekorit e të protokollit iu komunikuan zyrtarisht qeverisë shqiptare në datën 11 Gusht 2014, Autoriteti Kontraktor ishte në kushtet e nevojës ekstreme për shkak të mospasjes së kohës së mjaftueshme për të zhvilluar procedurën normale të prokurimit.

Theksojmë se e njëjta procedurë është ndjekur nga të gjitha institucionet e përfshira në vizitën e Papa Françeskut në Tiranë, përfshirë këtu Bashkinë e Tiranës”, sqaron më tej Kryeministria, në lidhje me rastin në fjalë. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit