



Tiranë, 9 nëntor 2014, NOA.al – Partia Demokratike ka kthyer edhe një herë në vëmendjen e publikuar abuzimin financiar prej 394 milionë lekësh, të bërë me dekorin e qytetit për vizitën e Papës.
Grida Duma, në emër të PD-së ka thënë se faktet e reja tregojnë se kompania fituese e Veliajt ka pasur vetëm 3 punonjës.
“Rama heshti, nuk dha asnjë shpjegim për skandalin e 394 milionëve që iu dhanë kompanisë së Veliajt, me rastin e vizitës së Papës. Rama Heshti sepse tashmë janë bërë gati ti vërsulen fondeve të majme për festat qeveritare të 70 vjetorit të Çlirimit”, – tha Duma.
Sipas saj, njerëzit e Veliajt dhe grupi i ngushtë i Ramës, morën 394 milionë lekë, me prokurim të drejtpërdrejtë, pa asnjë garë, me një kompani 9-muajshe, që nuk plotësonte asnjë kusht teknik, dhe për të cilën ende nuk ka dhënë askush llogari.
“Fakte të reja që dalin në dritë e thellojnë skandalin, edhe pse Edi Rama hesht, edhe pse sulmon opozitën sa herë gjendet para provave të pakontestueshme. Kompania e Veliajt, EAG, që nga dita e krijimit dhe deri sot, e pasuruar me 394 milionë lekë me një dorë, ka pasur vetëm 2 ose 3 punonjës, e megjithatë nuk e ka në objektin e saj dekorimin e qytetit u kualifikua më e afta dhe shpallet fituese në një tender kaq të madh”, – u shpreh koordinatorja për mediat e PD-së.
Për Zonjën Duma është e qartë se kemi të bëjmë me një histori pasurimi të shpejtë, ku Ministri i Mirëqenies dhe bashkëpunëtorët e tij afër Kryeministrit, “e kanë ngritur këtë kompani për të fituar tenderat e qeverisë, për të marrë para, e për t’u pasuruar nga taksat e shqiptarëve që po zhyten çdo ditë e më shumë në varfëri, në borxhe, në papunësi e mjerim”.
Në vijim të fjalës së saj, Grida Duma u shpreh se “populli sot gjithnjë e më i papunë gjithnjë e më shumë i zhytur në halle, ditët e festave duhet të shohë se si prapa çdo dekori po pasurohet një ministër dhe favoritët e Ramës”. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





