Transmetuar më 09-11-2014, 10:25

Lushnjë, 9 nëntor 2014, NOA.al – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një takim me banorët e Lushnjes, pasi ka parë gjendjen ën të cilën jeton një pjesë e tyre dhe ka dëgjuar ankesat në lidhje me prishjen e ndërtesave pa leje, të cilat kanë qenë banesat e tyre, është shprehur se do të ndihmojë për të evidentuar dëmet dhe se do të ngrihet një ekip juridik që ti ndihmojë banorët nga ana ligjore.

“Do të evidentojmë një për një dëmet që u janë shkaktuar e do të ngremë një ekip juridik që t’u ndihmojë për të ndjekur procesin ligjor. Unë i bëj thirrje Prokurorisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm të nisin urgjentisht këtu një ekip për të parë se si përmes një akti terrorist janë prishur shtëpitë e qytetarëve”, – ka thënë Basha.

Ai ka dëgjuar ankesat e qytetarëve në lidhje me papunësinë, varfërinë e madhe, vështirësitë që banorët e Lushnjes kanë për të paguar tarifat e shkollave të fëmijëve të tyre si dhe korrupsionin në administratë për të fituar një vend pune. /a.s/noa.al

Biseda e Bashës me banorët

“Nuk e di se kush na i ka prish o zoti kryetar nuk e dimë se kush ka ardhur”, shprehet një banor.

Basha: A ju sollën ndonjë njoftim përpara?

“Asnjë njoftim hiç fare, isha të dielën në Fier dhe me thanë mirë ndërtoje po ç’të ndërtoj i thashë, ti ma prishe”.

Një banore thotë se: “kanë punuar fëmijët  24 vjet o bir në kurbet të zi o bir mendoshin të ktheheshin në Shqipëri o bir po ato i nxorën jashtë prapë o biri i nënës”

“I kanë futur në proces legalizimi dhe ata ua prishën shtëpitë e i lanë përjashta as nuk i lajmëruan jo”, shprehet një banore e revoltuar.

Kryetari i Partisë Demokratike, pasi dëgjon qytetarët shprehet se: “Do të evidentojmë një për një dëmet që u janë shkaktuar e do të ngremë një ekip juridik që t’u ndihmojë për të ndjekur procesin ligjor. Unë i bëj thirrje prokurorisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm të nisin urgjentisht këtu një ekip për të parë se si përmes një akti terrorist janë prishur shtëpitë e qytetarëve”.

“Ju kërkojmë në protestë derisa ai të gjunjëzohet para nesh”, shprehet një qytetar

Po ashtu një situatë tejet shqetësuese për gjendjen ekonomike,  i është bërë e ditur zotit Basha nga qytetarët e Lushnjes. Papunësia e madhe, rritja e tarifave te universiteteve dhe mbyllja e filialit te Lushnjes, mosshpërndarja e ndihmës ekonomike, kanë qenë disa prej shqetësimeve të shprehura. Me një frymë revolte nga përballja çdo ditë me sfidën e sigurimit të bukës së përditshme qytetarët kanë bërë thirrje për protesta të pandalshme.

“Gjendja po vete katastrofale. Këta nuk duhet të qëndrojnë më në pushtet me gjithë ato premtime, jo 300 mijë vende pune, mashtrim i paparë”, shprehet një qytetar.

“Po shkon me 6 forca police  sikur ka bërë krim ai ta arrestojë. Për ç’ka? Se s’ka paguar 10 mije lekë drita. Harron se a ka fëmijë në shkolle ai a s’ka, ka të hajë buke a s’ka. Do hapë 300 mijë vende në çmendi mo, jo 300 mijë vende pune”, ankohet një tjetër qytetarë

Basha: Katër fëmije ke?

“Po katër fëmijë, një fëmijë invalid, fëmijën e fundit e kam në shkollë të lartë, nga 185 që ka qenë vjet tarifa, 247 pagova sivjet. I mora lekët borxh. Jam mbyt në borxh. Punë dua unë, nuk dua lëmoshë, punë”, shprehet qytetari.

Një tjetër denoncon korrupsionin: “kërkojnë 3 mijë euro për të hyrë një mësues këtu ose një infermier. Jam pa punë vetë i 5-të më fëmijë studentë”.

“Kam katër muaj që nuk i kam marre lekët e përkrahjes”, ankohet një qytetar.

“Na udhëhiqni të rrimë atje në protesta derisa ta heqim”, kërkon një qytetar .

“Nuk ishte mirë që e mbyllen Universitetin e Lushnjes. Në vitin tim kanë qenë gjithsej 130 veta”.

Basha: Ku janë tani këta?

“Të gjithë i kanë transferuar në Tiranë por shumica e kanë lënë shkollën se nuk e përballonin dot”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit