Transmetuar më 08-11-2014, 21:30

Ndeshja më e rëndësishme e javës së 12-të të Kategorisë Superiore, ajo ndërmjet Skëndërbeut e Partizanit përfundoi në qendër të debateve, jo më shumë për rezultatin e përftuar në fushën e lojës, se sa për vendimet abritrare e ca më shumë për vendimin e dizenjimit, për të vendosur pikërisht Allën në mesin e fushës së blertë.

Ky gjyqtar nuk e ka stemën e FIFA-s e madje ka përvojën e gabuar për të gjykuar sfida delikate.

Në të paktën tre precedentë, Alla ka shqetësuar drejtësinë e një ndeshje futbolli dhe rasti i fundit është Vllaznia-Tirana, 1-1 në 11 shtator ku miqtë kontestuan për një 11-metërsh të padhënë.

Alla ka qenë në qendër të gjykimeve dhe 2 e 3 vite më parë në Tirana-Skëndërbeu 0-1 e Skëndërbeu-Flamurtari 2-1, ku në të dyja rastet ka dhënë 11-metërsha të çuditshëm në favor të kampionëve në fuqi, citon Supersport.

Alla së bashku me bashkëpunëtorët e tij në fushë gaboi teksa akordoi një 11-metërsh për vendasit, ndërkohë që faulli i shkaktuar nga portieri Xhika ishte dukshëm jashtë zonës së rreptësisë.

Alla mori dy vendime të drejtë për kartonat e kuq të Xhikës e më pas Fejzullahut, por trupa gjykuese në fushë gaboi duke akorduar golin e dytë në favor të Skëndërbeut ndërkohë që ishte në pozicion jashtë loje.

T’i konsiderosh gabime me qëllim mund të jetë e tepërt, por pikëpyetjet qëndrojnë gjithnjë nga i njëjti kah.

Si ka mundësi që një gjyqtar me precedent dhe pa personalitetin e duhur gjykon një sfidë kaq delikate, si ka mundësi që një gjykim i tillë ndodh pikërisht në një javë kur Partizani e Skëndërbeu kanë debatuar në distancë pikërisht për penalltitë e fituara deri tani nga Partizani.

Përgjigjet nuk i jep askush zyrtarisht, ndërkohë që vendasit kanë fituar 3-0 dhe u kanë shënuar Partizanit më shumë gola se sa të kuqtë kishin pësuar në 11 javët e para. Laver Alla ishte njeriu i ndeshjes.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit