Transmetuar më 08-11-2014, 13:23

Tiranë, 8 nëntor 2014, NOA.al- Ministria e Mbrojtjes ka përshëndetur angazhimin personal të Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, lidhur me denoncimin e bërë nga kjo ministri për mungesën e krijuar në vite të lëndëve plasëse në depot pranë fshatit Nuaj të Krujës.

Në një qëndrim zyrtar të MM, thuhet se pas miratimit të strukturës së re nga Presidenti i Republikës, bazuar në një urdhër të Ministrit të Mbrojtjes në tetor 2014 filloi procesi i inventarizimit të plotë e të detajuar në të gjithë vendin.

Ministria kërkoi që kjo procedurë të bëhet në të njëjtën kohë në të gjithë vendin me prezencën e anëtarëve të komisionit, të komandave, ministrisë dhe shtabit të përgjithshëm, proces i cili është ende në vazhdim.

“Në muajin tetor gjatë punës për inventarizimin, në grup-depot e Bigadës së Mbështetjes në fshatin Nuaj të rrethit të Krujës, u konstatua se mungonte një sasi e konsiderueshme lëndësh plasëse. Strukturat e FA-ve pasi konstatuan shkeljet vunë nën vëzhgim tetarin Adem Hasani, magaziner në këto grup-depo, si dhe kontaktuan me Prokurorinë e Policinë e rrethit Krujë, duke kërkuar ndalimin e tij në flagrancë. Përballë mosreagimit nga prokuroria e Krujës, për shkeljet e konstatuara dhe informacionet që disponoheshin për largim të mundshëm nga vendi të këtij shtetasi, në bazë të ligjit të disiplinës ushtarake, komanda u detyrua të bëjë ndalimin e tetarit Hasani në Policinë Ushtarake në 4 nëntor”, deklaron MM.

Më tej thuhet se në këto kushte, Ministria e Mbrojtjes Mimi Kodheli, u detyrua të kontaktojë personalisht me Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili ka vënë në lëvizje Prokurorinë e rrethit Krujë.

Në mbyllje të qëndrimit Ministtria e Mbrojtjes falenderon kryeprokurorin Llalla për disponibilitetin e menjëhershëm të tij, dhe mbetet shpresëplotë se po me të njëjtën mënyrë do të veprojë edhe për dosjet e tjera të depozituara nga kjo ministri në organin që ai drejton./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit