Transmetuar më 08-11-2014, 12:41

Tiranë, 8 nëntor 2014, NOA.al- Partia Demokratike denoncoi si të paligjshëm emërimin në krye të Autoritetit të Medias Audiovizive, Gentian Sala, duke bërë me dije se do të ndiqet rruga ligjore.

Deputeti demokrat Genc Pollo deklaroi nga selia blu se të enjten mazhoranca Rama-Meta e përmbylli sagën e mundimshme një vjeçare të kapjes së Autoritetit të Medias Audiovizive për llogari të klient-padronit mediatik të tyre.

Ai tha se zgjedhja e kreut të AMA, u bë duke shkelur me dy këmbët ligjin për përzgjedhjen e kryetarit të AMA-s, duke shkelur çdo rekomandim e këshillë të komunitetit ndërkombëtar pasi bënë be e rrufe se do i pranonin ato.

“Edi Rama, i dha urdhër deputetëve delebindur të votojnë ish-drejtorin e Digitalbit, Gentian Salën, agjent i klient-padronit mediatik e monopolistik të Edi Ramës. Edi Rama emëroi drejtorin e Digitalbit në krye të AMA-s jo për të zbatuar ligjin shqiptar e standartet europiane por me detyrën afatshkurtër që të verë tregun mediatik nën kontrollin e plotë dhe unik të tij dhe të Digitalb, cdo televizion të ketij vendi, të eliminojë pluralitetin e medias dhe detyrës afatmesme që ti zhvasë TVSh-së brezat frekuencore në favor të klientit mediatik duke penguar njëkohësisht internetin super të shpjetë për qytetarët në frekuencat 4G që mbahen ilegalisht të bllokuara po nga klienti mediatik e monopolistik. Për rrjedhojë çdo qytetar shqiptar do të dëgjojë e shikoje vetëm atë çka do t’i interesojë Edi Ramës dhe klient-padronit të tij për më tepër duke paguar kartën 200 mijë lekë të vjetra kur në fakt çmimin duhet ta kishte jo më shumë se 90 mijë lekë të vjetra”, u shpreh Pollo.

Ai tha se nuk është surprizë që Gentian Sala ka fshehur marrdhënien prej punëmarrësi me Digitalb, edhe në CV e dorëzuar në Komision e Edukimit e Medias edhe në dy dëgjesat para komisionit në datat 21 korrik e 28 tetor 2014.

Sipas Pollos, kjo përbën një vepër penale e shkelje të rëndë civile që kudo në botën normale do të mjaftonte për të mos e votuar  apo edhe për të reaguar duke e shkarkuar.

Ai tha se është e kotë të apelohet që Sala të mos ushtrojë postin e paligjshëm të kryetarit, siç u bë me dy anëtarët e PS në AMA një muaj më parë, por deklaroi se do të ndiqet rruga ligjore dhe do apelohet publikisht tek operatorët mediatikë e më gjerë se kanë të bëjnë me një autoritet të paligjshëm e jolegjitim./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit