Transmetuar më 08-11-2014, 11:42

Gjirokastër, 8 nëntor 2014, NOA.al-Partia Demokratike akuzoi Bashkinë e Gjirokastrës për zaptim të një prone private.

Koordinatori ndihmën ligjore në PD, Ervin Salianji deklaroi se Bashkia e Gjirokastrës ka zaptuar në kundërshtim me ligjin një pronë private prej 11.500 metrash, dhe trashëgimtarët e familjes Çabej që e zotërojnë të drejtën mbi këtë territor, nuk po gjejnë zgjidhje në asnjë institucion.

Salianji dhe kryetari i PD-së së Gjirokastrës u njohën nga afër me problemin, dhe denoncuan shkeljen ligjore, sjelljen arbitrare dhe pamundësinë që ka kjo familje për të apeluar, për të gjetur zgjidhje.

Koordinatori Salianji u shpreh se kjo është dëshmi e arbitraritetit të qeverisë dhe nëpërkëmbjes së të drejtave të qytetarit.

“Kjo qeveri që u tund prangat dhe i çon buldozierët dhe fadromat qytetarëve të varfër, qytetarëve të pamundur, të cilët nuk kanë mundësi që të ndërrojnë çatitë e tyre apo të suvatojnë muret rrethues, i grabit në mes të ditës nëpërmjet oligarkut të saj lokal, kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës. I grabit trashëgimtarve të familjes Çabej 11.500 m pa asnjë dokument dhe në mes të ditës. As duke i lajmëruar, as duke i kthyer përgjigje por duke i sorollatur. I kërkon nëpërmjet shkresave përgjigje Bashkisë, nuk merr përgjigje. I kërkon Ministrit dhe Qeverisë Përkatëse, Ministrisë së linjës, ajo nuk i jep zgjidhje. Kjo qeveri sillet si një bandë mafioze duke zaptuar dhe grabitur pronat e qytetarëve. I bëjmë thirrje Prokurorisë që të marrë denoncimin e qytetarëve që kanë katër muaj që i janë drejtuar Prokurorisë për të nisur hetimet dhe për të çuar para përgjegjësisë penale kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës, sepse prona e qytetarëve mund të shpronësohet vetëm për dy raste. Vetëm për interes publik dhe vetëm sipas një shpërblimi të drejtë, përcaktuar në ligj. Por kjo qeveri, me çduket, i ka armiq pronarët. Kjo qeveri i ka armiq bizneset. Kjo qeveri i ka armiq qytetarët”, tha Salianji.

Nga ana e tij kryetari i Partisë Demokratike të Sarandës, Roland Bejko kërkoi respektimin e ligjit pa asnjë lëshim./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit