

Tiranë, 8 nëntor 2014, NOA.al- Kryebashkiaku Lulzim Basha priti në një takim nobelistin Muhammad Yunus i cili është nismëtari i revolucionit financiar të mikrokreditimit.
Gjatë takimit Yunus mirëpriti ftesën e kryebashkiakut për bashkëpunim, ku ranë dakord për vënin në dispozicion të fondeve të përbashkëta, për hapjen e bizneseve të reja dhe rritjen e punësimit.
Basha vlerësoi punën e jashtëzakonshme të Yunus, për t’u dhënë mundësinë e hapjes së një biznesi, vetëpunësimit dhe punësimit mijëra njerëzve anembanë botës.
Ai shtoi më tej se nxitja e hapjes së bizneseve të reja dhe punësimi është prioritet i Bashkisë së Tiranës.
Kryebashkiaku Basha e njohu nobelistin Yunus me iniciativat e ndërmarra nga ana e Bashkisë së Tiranës, për të mbështetur hapjen e bizneseve të reja dhe zgjeruar ato ekzistuese, kryesisht nga të rinjtë.
“Bashkia e Tiranës ka vendosur një fond prej 1 milion eurosh, i cili shërben si fond garancie për bizneset e reja që hapen apo drejtohen nga të rinj, një skemë që përdoret për herë të parë nga pushteti vendor në Shqipëri. Një tjetër iniciativë ku Bashkia e Tiranës ka investuar për herë të parë është “Crimson Capital”. Bashkia dhe donatorë të tjerë kanë vënë një fond prej 5.2 milionë dollarësh për kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Tiranë. Për shkak të situatës ekonomike që po kalon vendi dhe rritjes së vazhdueshme të taksave është bërë i vështirë, madje i pamundur suksesi i bizneseve të konsoliduara, pasi për hapjen e bizneseve të reja është thuajse e pamundur. Lufta për mbijetesë ka bërë që shumë biznese të mbyllin vende pune, ku më të prekurit janë të rinjtë”, u shpreh Basha.
Kryebashkiaku deklaroi se krijimi i mundësive për të hapur një biznes, i shanseve për punësim është një nga synimet më të mëdha të Bashkisë së Tiranës, ndërsa shprehur dëshirën për të bashkëpunuar me “Yunus Social Business Albania”, për të nxitur nëpërmjet instrumenteve të përbashkëta, punësimin e të rinjve të cilët duan të ndërmarrin iniciativa private biznesi por e kanë të pamundur të kenë akses në tregun financiar./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





