

Lushnje, 7 nëntor 2014, NOA.al- Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, iu bëri thirrje ish të burgosurve që përfitojnë nga skema e re e dëmshpërblimit, që të paraqiten pranë Ministrisë së Financave për të dorëzuar certifikatën dhe numrin e llogarisë bankare.
Ministri Veliaj u ndal në Lushnje ku zhvilloi një takim me ish të përndjekur politikë, për t’iu shpjeguar skemën e re të dëmshpërblimit sipas ligjit të ri.
“Për vitin tjetër, fondin për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve e kemi rritur me 11 për qind; nga 18 milionë dollarë që ishte këtë vit, në 20 milionë dollarë, dhe kjo jo për efekt elektoral, por sepse është diçka e drejtë. Gjithashtu, jo vetëm që kemi rritur fondin, por po shpejtojmë me disbursimin e kësteve, sidomos për ata ish të burgosur që jetojnë”, u shpreh Veliaj.
Sipas tij, deri tani, në një vit qeverisje, është mbyllur procesi i dhënies së këstit të dytë dhe shumë shpejt do të fillojë shpërndarja e këstit të tretë.
“Me shpresë, brenda dhjetorit, do të nisim edhe pagesën e këstit të katërt, si një mënyrë për të thënë se aty ku qeveria tregon vullnet, gjen edhe një rrugëzgjidhje”, tha ai.
Veliaj u bëri thirrje të gjithë përfituesve nga ligji që të paraqesin sa më shpejt dokumentet e nevojshme për të marrë këstin e tretë, shpërndarja e të cilit do të nisë brenda muajit nëntor.
Deri tani, pranë Ministrisë së Financave i kanë dorëzuar certifikatat dhe numrin e llogarive bankare rreth 1400 ish të burgosur politikë, nga 2400 gjithsej, të cilët përfitojnë sipas kritereve të reja të ligjit për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





