

Skënderbeu-Partizani është një sfidë që i ka të tre rezultatet brenda, ku diferencën do ta bëjë grinta dhe dëshira që do të shfaqin futbollistët në fushën e blertë.
Ky është mendimi i trajnerit të Skënderbeut, Mirel Josa, i cili i jep merita kundërshtarit për atë që ka arritur deri në këtë fazë të sezonit.
“Mua nuk më intereson shumë se si e përjetojnë njerëzit këtë ndeshje, por si po e përjeton skuadra ime.
Mund të them se e kam grupin të kompletuar dhe si gjithmonë do të synojmë fitoren, por kjo përballje i ka të tre rezultatet brenda. Partizani është skuadër për t’u vlerësuar sepse jo më kot mban vendin e parë”.
Por si e parashikon këtë sfidë përpara publikut vendas trajneri i korçarëve?
“Do të jetë një luftë e fortë sportive, ku do të luftohet fort për çdo top. Mendoj se diferenca do të bëhet vetëm në çdo dyluftim”.
Skënderbeu ka dominuar në futbollin shqiptar gjatë katër sezoneve të fundit, por këtë sezon duket qartë se gara për titullin do të jetë shumë më e fortë.
Sipas Josës skuadra e tij ka humbur terren në klasifikim gjatë fazë së parë për gabimet e veta.
“Skuadra ka ardhur në ngritje dhe kjo është shumë e rëndësishme. Gjatë fazës së parë edhe në ndeshjet ku kemi humbur, kemi zhvilluar një lojë shumë të mirë, por për gabimet tona nuk kemi marrë pikë.
Me Partizanin është shumë e rëndësishmja fitorja për vazhdimësinë dhe entuziazmin e skuadrës”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





