

Tiranë, 7 nëntor 2014, NOA.al – Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka reaguar ndaj akuzave të Bashkisë së Tiranës, të bëra ditën e sotme, në lidhje me një “ndërtim pa leje” në ambientet e jashtme të Ministrisë.
Ky institucion informon se Bashkia e Tiranës është njoftuar për këtë ndërhyrje në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, madje edhe ka pranuar të japë asistencën e saj.
“Me shkresën nr. 6310 prot., datë 21.10.2014 është vënë në dijeni Bashkia e Tiranës për domosdoshmërinë e ndërhyrjes nga ana e MEI, në pjesën e pasme të godinës të Institucionit, për shkak të keqfunksionimit të vazhdueshëm të sistemit të kanalizimeve, për largimin e ujërave të bardha dhe të zeza.
Në vijim, Bashkia e Tiranës me shkresën nr. 14147/1 prot., datë 27.10.2014, shprehet dakord për realizimin e këtij investimi të nevojshëm, madje duke ofruar edhe asistencë teknike për realizimin e këtij riparimi të rrjetit të kanalizimeve dhe të sistemimit të pjesës së pasme të oborrit”, – thotë Ministrie e Energjisë dhe Industrisë në një komunikim për mediat.
MEI thekson se nuk bëhet fjalë për një ndërtim të çfarëdolloj strukture, por thjesht punime të sistemimit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, të degraduara prej vitesh.
“Theksojmë se kjo është detyrë funksionale e Bashkisë Tiranë, e cila e kishte lënë në harresë prej vitesh, duke prurë si pasojë një problematikë emergjente, në daljen dhe depozitimin e ujërave në sipërfaqen e territorit mbrapa godinës së Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë”, përfundon reagimi i MEI. /a.s/noa.al
Bashkia e Tiranës: MEI kapet duke kryer punime pa leje
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





