


Tiranë, 7 nëntor 2014, NOA.al – Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka prezantuar sot 24 koordinatorët kombëtarë të PD-së të cilët do të prezantojnë çështje të caktuara të programit dhe aktivitetit politik të kësaj partie politike.
Ai tha se në këto zgjedhje ka pasur një bum vërshimesh, ku sipas Bashës, “burra gra, të rinj, të sprovuar si profesionistë të aftë në fushat e tyre dhe të vendosur për të vënë njohuritë e tyre në dispozicion të vendit nëpërmjet kësaj partie vërshuan në PD”.
Për kreun e opozitës, ky është një tregues tjetër se ribashkimi, hapja dhe ripërtëritja kanë bërë që në PD të vërshojnë qindra intelektualë të moshave të reja, dhe jo vetëm.
Duke i cilësuar koordinatorët e rinj si “pasuri për Shqipërinë”, Basha tha "Shqipëria demokratike e ka gjeneratën e nisjes së re. Nga kjo elitë kanë dalë në të gjithë vendin shumë individë, ku disa kanë fituar e disa jo, siç është në logjikën e garave të hapura, por të gjithë gëzojnë respektin e mirënjohjen time. Këta që po prezantojmë sot janë një vlerë e shtuar e alternativës sonë. Në vijim të përvojave më pozitive duam të angazhojmë në PD sa më shumë të rinj e të reja, të aftë e të pregatitur për të çuar përpara kauzën e demokratizimit e integrimit të vendit si dhe për të promovuar pozitivitet, kulturë të bashkëjetesës politike, të mbështetur në debatin e civilizuar. E mbi të gjitha në sundimin e ligjit në shtetin ligjor”.
Duke u shprehur se “ku ka zgjedhje dhe punë konkrete ka më shumë debat të shëndoshë”, zoti Basha deklaroi se “duan të japin mesazhin se propozimi ynë janë këto vlera, të rinjtë dhe të rejat, burrat dhe gratë që e kanë kokën plotë dhe që dinë e duan të bashkëpunojnë për Shqipërinë e re Europiane”.
“E gjithë kjo është ndërkohë, nuk ka përse të mos e them, një shprehje e distancimit tonë pa kompromis, kundër promovimit nga shumica Rama-Meta në politikë, në Kuvendin e Shqipërisë dhe në administratën shteterore të injorancës më të paimagjinueshme për kohën që jetojmë, të spekullantëve që kanë blerë diploma për të përfituar poste drejtuese, të individëve me rekorde kriminale që pasi kanë dalë nga burgu apo vazhdojnë të jenë të skeduar nga policia si trafikantë dhe kontigjentë të krimit, kanë marrë detyra me peshë në gjithë piramidën e qeverisjes aktuale”, u shpreh Basha duke shtuar se kordinatorët e rinj me kualifikimin e tyre ata janë një fuqi e shtuar e forumeve të Partisë Demokratike, fuqi e dijes, fuqi e mendimit, fuqi e ekpertizës, fuqi e këshillimit, fuqi e veprimit politik.
Sipas kreut të partisë më të madhe opozitare në vend, e gjitha kjo është një shenjë e distancimit nga sulmi pa kompromis i spekulantëve që kanë blerë diplomat për të përfituar poste drejtuese kanë marrë detyra me peshë në qeverisjen aktuale.
“Kjo është një nga njollat më të errëta që kjo shumicë i ka venë në krye vendit me ardhjen e tyre në pushtet, ku forcën e ideve e zëvendëson ideja e forcës. Ne duam të vendosim pushtetin që mbështetet në mendjet e zgjuara të kohës. Sfida jonë është identifikimi dhe angazhimi i më të mirëve”, – tha Lulzim Basha. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





