Transmetuar më 06-11-2014, 20:14

Në një kohë që në Serbi vazhdojnë të jenë të pakënaqur për vendimin e UEFA-s pas trazirave në sfidën kundër Shqipërisë, nga lojtarët që aktivizohen jashtë vendit vjen një mesazh ndryshe.

Ai është sulmuesi i Lazios, Philip Djordjevic që me 5 golat e tij sezonalë ka fituar zemrat e tifozëve bardhekaltër.

Në një intervistë dhënë për mediat italiane, bomberi është pyetur edhe për ndeshjen Serbi-Shqipëri, por ai ka zgjedhur të përgjigjet me diplomaci duke zgjedhur të pranojë vendimin e marrë nga UEFA.

“Kjo është një histori e mbyllur. UEFA mori një vendim dhe ne tani duhet të mendojmë për ndeshjet e tjera pasi duhet të marrim sa më shumë pikë që të jetë e mundur”, theksoi Djordjevic.

Një koment me tone paqësore nga ana e sulmuesit 27-vjeçar, i cili nuk e nisi si titullar sfidën e 14 tetorit.

Edhe në intervistat paraardhëse, Djordjevic është shprehur se episodet e Beogradit nuk do të ndikojnë aspak në marrëdhëniet mes lojtarëve serbë dhe atyre shqiptarë në radhët e Lazios.

Bashkë me ish sulmuesin e Nantës, një tjetër lojtar serb te ekipi roman është edhe Dusan Basta, ndërsa Lorik Cana, Tomas Strakosha dhe Etrit Berisha janë me kombësi shqiptare.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit