



Babai i Alfredit, Pertef Musabelliu flet për humbjen e jetës së të birit tre vjet më parë dhe pohon faktin se e ëma e Konstandinit, Luiza Xhuvani, nuk i kishte kërkuar falje atëherë për krimin e tmerrshëm. Pertef Musabelliu sugjeron se zonja Xhuvani duhet të kishte dhënë dorëheqje që më 2011 kur i biri kreu vrasjen e parë dhe jo tani kaq vonë pasi ndodhën edhe katër vrasje të tjera.
“Xhuvani më zhgënjeu. Nuk ishin katër viktima, ishin pesë. Deputetja e harroi djalin tim”, – u shpreh Pertef Musabelliu në një intervistë dhënë sot për "Gazeta Shqiptare". 54-vjeçari shprehet se ka frikë se edhe këtë herë drejtësia nuk do të marrë vendimin e duhur për 25-vjeçarin.
Në intervistë ai rrëfen se çfarë ka ndodhur tre vjet më parë mes djalit të tij, Alfredit (foto qendrore) dhe Kostandin Xhuvanit, i cili sipas prokurorisë është autori i vetëm i dyshuar i vrasjes së katërfishtë gjatë mëngjesit të së martës në kryeqytet.
Si u ndjetë kur patë lajmin në media, që autori që kishte qëlluar mbi djalin tuaj, kishte vrarë edhe katër persona të tjerë në kryeqytet? Me thënë të drejtën e kam marrë shumë papritur këtë lajm. Në fillim m’u duk si e pavërtetë dhe për këtë arsye i jam drejtuar medias për të parë se çfarë kishte ndodhur. Me veten time, kur pashë se thuhej në media se ishte përfshirë djali i një deputeti në vend, më shkoi mendja tek ai, sepse pashë të gjitha veprimet që ai kishte bërë dhe ishte njësoj mënyra e veprimit të tij. Pastaj, mendova se me pushtetin që ka mund ta manipulojë situatën dhe prokurorinë. Ai është një fëmijë i llastuar, që kjo familje nuk i ka treguar vendin e duhur. Pse ia hidhni fajin familjes së deputetes? Ia hedh fajin familjes së saj, sepse ajo si deputete nuk duhej ta kishte lejuar që djali i saj të dilte nga burgu pas një viti, për një vrasje që kishte kryer. Ai duhej të qëndronte më gjatë në burg. Prandaj, unë jo se jam i lumtur që atij i ndodhi kjo, sepse ai ka vrarë edhe katër persona të tjerë, dhe unë i bashkohem dhimbjes së katër familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre. Por, sot e ndiej që duhet që gjithë opinioni të ngrihet kundër këtij personi, sepse ai ka vrarë me gjakftohtësi, ashtu siç vrau edhe djalin tim. Dhe unë prandaj sot u drejtohem prokurorisë dhe gjykatës që të vënë drejtësinë në vend. Unë nuk e besoj fare fjalën e nënës së tij, e cila thotë se unë do jap dorëheqjen që drejtësia të bëjë punën e saj, sepse unë mendoj se sërish në drejtësi do ketë ndërhyrje. Sepse në deklaratën e tij, kryeministri Edi Rama u shpreh se Luiza Xhuvani ishte mikesha e tij, por ajo për të nuk është mikesha. Nuk do të thotë se ai duhet të hedhë baltë mbi Luiza Xhuvanin, por kryeministri me deklaratën e tij jep një mesazh politik dhe në të njëjtën kohë edhe një mesazh prokurorisë dhe gjykatave, duke u thënë që ta shohin më mirë këtë punë, sepse deputetja ishte mikesha e tij. Për mendimin tim, Luiza Xhuvani nuk duhej të dilte fare para televizionit, sepse ishte një turp dhe nuk mund të luhet teatër. Pse e cilësoni teatër deklaratën e ish-deputetes Xhuvani? Unë me deklaratën e deputetes u zhgënjeva, sepse ajo e para nuk ka sy e faqe të dalë para këtij publiku dhe ta mallëngjejë një publik me një krim të tillë. Unë u zhgënjeva me deklaratën e saj, sepse ajo për asnjë moment nuk e përmendi që djali i saj ka vrarë edhe djalin tim. Ajo përmendi vetëm katër viktima, por të pestin e harroi. Sepse kanë qenë pesë viktima që ka vrarë djali i saj dhe jo katër. Ku ka qenë deputetja Xhuvani këta tre vjet që mua më ka vdekur djali? Pse nuk trokiti në derën time dhe të kërkonte falje? Ajo këtë veprim bëri edhe tani: nuk u kërkoi falje familjeve të tjera, por thjesht kërkoi mallëngjim, duke thënë se ‘ai ishte djali im dhe mbetet djali im’. Që nga dita e vrasjes së djalit tuaj, ju nuk keni pasur asnjë komunikim me familjen e deputetes Xhuvani? Unë kam pasur mundësi që të komunikoj me gazetarë dhe nuk kam folur, dhe jo se tani gjej rastin të flas dhe që t’i dal kundër kësaj gruaje dhe kësaj deputeteje. Por, unë mendoj se ajo duhej ta kishte dhënë që më parë dorëheqjen nga mandati si deputete. Por, gjatë këtyre viteve familja e saj dhe ajo vetë nuk ka ardhur asnjëherë të më kërkojë takim apo falje, pavarësisht nëse unë do e pranoja apo jo. Por, ishte detyra e saj që, duke qenë se është një nënë dhe tani do e ndiejë më shumë dhimbjen që i shkaktoi i biri, të vinte të na takonte. Ajo e dinte shumë mirë se çfarë biri kishte, por nuk erdhi në shtëpinë time. Mendoni se këtë herë drejtësia do veprojë me standarde të tjera? Mënyrën e veprimit që ka bërë kryeministri Edi Rama duke dalë në televizor përkrah saj, unë e quaj mbrojtje që i bën asaj drejtpërdrejt, duke u kujtuar atyre që bëjnë drejtësi se ajo është mikesha e tij. Prandaj, unë nuk e besoj se sërish do vihet drejtësi e plotë. E di kur unë besoj se do vihet drejtësi e plotë? Kur ky person të marrë burgim të përjetshëm, sepse nuk kemi më varje, sepse ai duhet të ekzekutohet. Por, autori duhet të marrë burgim të përjetshëm, ashtu siç mendojnë edhe për bijtë e djemve të tjerë që u kanë dhënë burgime të përjetshme. Të kthehemi pas në kohë, në vitin kur është vrarë djali juaj. Çfarë konfliktesh ka pasur djali juaj me Kostandin Xhuvanin? Djali im e njihte Kostandinin, por nuk kishin shumë shoqëri. Normal që, si fëmijë që ishin kanë pasur edhe mosmarrëveshjet e tyre, por jo deri në atë pikë sa të merrnin armët dhe të dilnin në pozicione. Përveç faktit që kanë pasur sherre momentale, nga ky sherr ka dalë një fakt tjetër, që media dhe prokuroria nuk e ka bërë publike për atë rast. Tri ditë para se djali im të vritej, Xhuvani e ka qëlluar me automatik dhe ka dashur që ta vrasë, por nuk ka arritur dot, por ky fakt nuk ka dalë. Pra, Xhuvani e ka kërkuar djalin tim për ta vrarë dhe vrasja e tij nuk ndodhi rastësisht, por ka qenë e menduar që më parë dhe ai e ka kërkuar djalin tim me makinë për ta vrarë dhe e ka vrarë me pabesi. Ngjarja ka ndodhur në banesën e shokut të djalit, Albi Zelës, ku djali im ka shkuar që të sqarohet me të dhe ta pyesë se kush ka qenë personi që ka tentuar ta vriste para tri ditësh në ambientin ku këta si grup kanë qenë të gjithë dhe ku Xhuvani ka qëlluar me automatik. Dhe kur ka shkuar tek shtëpia e shokut të tij, ka hyrë brenda dhe brenda pak minutave aty kishte shkuar Xhuvani. Djali im i ka thënë, ‘po ti çfarë do këtu?’, pa e ditur se ishte ai personi që kishte dashur ta vriste me automatik disa ditë më parë. Por, Kostandini i ka thënë ‘nuk kam punë me ty’; edhe djali im i ka thënë që të largohej, pasi nuk kishte punë me të. Në këtë moment, Xhuvani i ka thënë se po largohej, ka dalë tek dera dhe pastaj është rikthyer sërish dhe e ka qëlluar me pabesi djalin tim. Të njëjtën gjë siç ka bërë me katër viktimat e tjera: ka bërë sikur ka ikur, është kthyer sërish dhe ka qëlluar mbi ta. Pra, ky është biri i një aktoreje dhe nëna e tij e kishte futur sërish për t’u bërë aktor, por aktor për të bërë vrasje. Gjatë këtyre viteve, mendonit ndonjëherë se drejtësia do vihej në vend? Gjatë këtyre viteve mendonim që një ditë atë person do e gjente një gjëmë, por fatkeqësisht erdhi prapë me katër viktima, të cilëve u mbylli derën. Do ishte mjaftuar vetëm me djalin tim, po të ishte treguar kaq e aftë kjo politikë, kjo drejtësi, që ai person të mos dilte nga burgu. Djali im nuk ka pasur armë, – sepse ata thanë për vetëmbrojtje, – djali ka pasur një armë lodër. Pse nuk e keni kërkuar drejtësinë në hallkat e tjera të gjyqësorit? Si mund të kisha besim unë tek kjo drejtësi kur ata e lanë të lirë vrasësin e djalit tim?! Keni një apel për drejtësinë? I bëj thirrje drejtësisë në emër të gjithë prindërve të tjerë që t’u tregojnë të gjithëve se janë të aftë të dënojnë edhe persona që kanë mbështetje politike, edhe djemtë e deputetëve që vrasin fëmijët e të tjerëve. Ai njeri meriton ekzekutim, por meqë në vendin tonë kjo gjë nuk lejohet, të japin dënimin maksimal për atë njeri. Prokuroria e Tiranës: Të katër vrasjet i kreu Konstandin Xhuvani
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





