Transmetuar më 06-11-2014, 17:10

Tiranë, 6 nëntor 2014, NOA.al – Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të opozitës të bëra gjatë mbledhjes së ditës së sotme, ku ka rënë dakord me deklaratën e Lulzim Bashës se “çështja e energjisë është një emergjencë kombëtare”, por për këtë ka fajësuar opozitën e shkuar, e cila, sipas MEI “e zhyti sektorin e energjisë në një gropë çdo vit e më të thellë”.

“Në konferencën e zhvilluar sot nga Partia Demokratike mbi problematikën e sektorit energjetik në Shqipëri, kishte vetëm një fjali me vend, të thënë nga ish Kryeministri Sali Berisha. Çështja e energjisë është një emergjencë kombëtare. E kemi thënë ne, e thotë opozita, e thonë edhe ekspertët ndërkombëtarë. Por vetëm ta thuash, nuk mjafton. E për më tepër nuk ofron asnjë zgjidhje.E vërteta është se ka një arsye pse sektori energjitik në Shqipëri është një emergjencë kombëtare”, thuhet në njoftimin për shtyp të MEI.

Sipas kësaj ministrie, “qeveria e kaluar mendoi vetëm e vetëm si të zgjaste vitet e qëndrimit në pushtet, duke e zhytur sektorin e energjisë në një gropë çdo vit e më të thellë”.

“Aq keq ka punuar qeveria e kaluar e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, sa qeverisë së re iu desh vetëm një vit punë që niveli i humbjeve të ishte më i ulëti i 10 viteve të fundit, performanca financiare më e larta historike dhe Banka Botërore të jepte për herë të parë një mbështetje financiare prej 150 milionë dollarësh, si kurrë më parë duhet thënë, për të investuar në sektor”, deklaron Ministria e Energjisë dhe Industrisë.

Në njoftimin e bërë nga kjo ministri deklarohet se qeveria shqiptare përsërit edhe njëherë qëndrimin e saj se heqja e fashës prej 300 kë është emergjente, pasi në gjithë këto vite ka qenë kjo fashë që ka sjellë nivelin e lartë të manipulimit me faturat e energjisë elektrike.

“Deri më sot në sektorin e energjisë ka patur një padrejtësi të madhe. Disa paguanin e disa jo. Ata që paguanin, paguanin edhe për ata që nuk paguanin. Kjo padrejtësi ka filluar të marrë fund dhe do të marrë fund. Ligji po zbatohet njësoj për të gjithë. Çdo konsumator do të paguajë energjinë dhe kush do të guxojë të ndërhyjë në mënyrë të jashtëligjshme në rrjet për të përfituar energji pa e paguar atë do të përballet me ligjin dhe shtetin ligjor”, përfundon reagimin ndaj deklaratës së sotme të Lulzim Bashës, Ministria e Energjisë dhe Industrisë. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit