






Berlin, 6 nëntor 2014, NOA.al- Ministri i Jahstëm Ditmir Bushati, vlerëson rolin e Gjermanisë si promotore e proceseve integruese në Ballkan dhe shpreh mirënjohjen për mbështetjen e dhënë ndaj Shqipërisë në marrjen e statusit të vendit kandidat.
Gjatë qëndrimit në Berlin (Gjermani), ku ndodhet për të marrë pjesë në Konferencën e Aspenit për vendet e Evropës Juglindore, ministri Bushati zhvilloi disa takime dypalëshe me fokus forcimin e bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Kryediplomati shqiptar u prit në takim nga Ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane, Michael Roth, ku gjatë takimit vlerësoi raportin e progresit të BE-së për Shqipërinë dhe vuri në dukje përgatitjet që pala shqiptare po bën për përmbushjen e reformave dhe kritereve që do të mundësojnë avancimin e Shqipërisë drejt BE-së.
Nga ana e tij, ministri Roth e përgëzoi angazhimin që Shqipëria ka dëshmuar në procesin e reformave shtet ndërtuese, duke vlerësuar dinamizmin e Shqipërisë dhe angazhimin e saj evropian. Të dy ministrat diskutuan në vijim edhe mbi zhvillimet e fundit në Ballkan, si dhe mbi rolin stabilizues dhe aktiv të Shqipërisë në rajon.
Ministri Bushati zhvilloi gjithashtu takime me Zëvendëspresidentin e Bundestagut, Johannes Singhammer, dhe me Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Çështjet e BE-së, Günther Krichbaum. Ministri Bushati vlerësoi rolin e Gjermanisë si promotore e proceseve integruese në Ballkan , ndërsa më tej u shpreh se “procesi i nisur në Berlin, nën drejtimin e Kancelares Angela Merkel, është një mundësi e mirë për të thelluar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit por dhe për të ofruar një perspektivë më të qartë të BE-së në rajon”.
Zëvendëspresidenti i Bundestagut Singhamer shprehu kënaqësinë që pas Konferencës së Berlinit marrëdhëniet mes dy vendeve kanë njohur një intensitet të shtuar politiko-diplomatik. Në takim u vlerësua ecuria pozitive reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, kryesisht në sundimin e së drejtës në ekonomi./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





