

Tiranë, 6 nëntor 2014, NOA.al- “Jeni drejtpërdrejt përgjegjës për humbjen e katër jetëve. Ngjarja nuk do të kishte ndodhur pa imunitetin që i ke dhënë vrasësit. Mba përgjegjësi”.
Me këto fjalë Grida Duma, iu drejtua Kryeministrit Edi Rama, të cilin e etiketoi si përgjegjës për krimin e katërfishtë në kryeqytet.
Në një dalje nga selia blu, Duma deklaroi se nuk harrohet skandali që i parapriu vrasjes së katërfishtë në Tiranë, duke nënvizuar se më kot mendon Kryeministri se i lau duart me teatrin me dy akte të luajtur në Kryeministri.
Ajo tha se autori i vrasjes, ishte në kërkim nga policia, por ai ishte ndryshe nga qytetarët e tjerë të vendit, pas kishte privilegj e mbrojtje, ndaj bridhte lirshëm në Tiranë me pistoletë në brez.
“Zoti Rama, dje, sot, e gjithnjë do të jesh përgjegjës për këtë ngjarje të rëndë, pasi ti i ke dhënë imunitet vrasësit, i ke dhënë mbrojtje. Ai falë teje ishte i paprekshëm. Fakt është se; Xhuvani është në kërkim prej datës 26 prill të këtij viti. Dhe është në kërkim për vepra të rënda penale, për kanosje me armë të qytetarit, për armëmbajtje pa leje. Pra një rrezik potencial për shoqërinë. Por policia e lejon, sepse ai është djali i miqve të tu, ai ka lejen për të bërë ctë dojë. Sic rezultoi fatalisht, ka lejen edhe për të vrarë, dhe jo për herë të parë. Kjo është një përgjegjësi e rëndë, më e rënda që një politikan, apo më shumë, një kryeministër ka mbi shpatulla. Një përgjegjësi që ti z.Rama duhet ta mbash. Duhet ta mbash ti, ministri yt, drejtori yt i Policisë. Jeni sot në borxh me shoqërinë shqiptare”, u shpreh Duma, duke kërkuar që kreu i qeverisë të veprojë dhe të mbajë përgjegjësi për humbjen e katër jetëve.
Sipas saj Kryeministri Rama ka vrarë besimin që duhet të kenë qytetarët tek shteti, pasi nuk mund të besojnë më kur një i kërkuar nga policia, me precedent të fortë penalë, nuk ndalohet sepse është miku i tij.
Duma shtoi më tej se i dyshuari si autor i vrasjes, u dorovit para para kamerave pavarësisht se ishte i kërkuar nga policia, në oborrin e Parlamentit, aty ku duhet të jetë shenjtëria e ligjit, për ta përdorur politikisht kundër opozitës.
Ndër të tjera ajo shtoi se, “Nga kjo ngjarje ka dalë e qartë para gjithë shqiptarëve se krimi ka lidhje me qeverinë. Se krimi ka një kryeministër. Që jeni ju z.Rama. Aq më shumë rëndohet pozita juaj, sa më shumë i ikni kësaj përgjegjësie, sa më pak skuqeni para kamerave teksa përsërini deri në mërzi dokrrat e përditshme”./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





