

Tiranë, 5 nëntor 2014, NOA.al – “Qeveria po bën një demagogji me pensionet e minatorëve pasi ulja me 5 vite e moshës së daljes në pension shoqërohet me një rritje prej 5% e kontributit të sigurimeve shoqërore. Përfitimi do të jetë minimal, aq sa prek vetëm 150 persona gjithsej”.
Ky ka qenë përfundimi i nxjerrë nga deputetët demokratë, të cilët u mblodhën sot në Komisionet Parlamentare të Ekonomisë, Shëndetësisë e Çështjeve Sociale dhe Veprimtarisë Prodhuese, ku diskutuan në lidhje me projekligjin e qeverisë për pensionet e minatorëve.
Duke thënë se “pensionistët po varfërohen çdo ditë”, deputeti Ridvan Bode u shpreh: “Tani bëjmë një hap mbrapa për të ulur me 5 vjet daljen në pension, pra në moshën 55 vjeçare për minatorët, por këtë jo si një politikë sociale, si kujdes të veçantë që shoqëria, përmes buxhetit dhe qeverisë, do ti kushtonte këtij sektori apo edhe sektorëve të tjerë që këtu u folën, që janë po sektorë ku vështirësitë e punës janë më të mëdha, sëmundjet profesionale më evidente, dhe jetëgjatësia e atyre që punojnë në këto sektorë, këto industri specifike, është më e ulët në krahasim me sektorët e tjerë edhe me jetëgjatësinë mesatare të vendit, por qeveria shet 5 vjet më pak daljen në pension në këmbim të një kontributi prej 5% më shumë, që do të thotë me pagesën aktuale, një rritje prej 18% të kontributeve që do të jepen në sektorin e industrive nxjerrëse minerale”.
Duke e cilësuar projektin si diskriminues, deputetja Albana Vokshi tha se ai “shton ankthin për pensionin”. “Drafti u hartua që në gjenezë i mbrapshtë dhe i fshehtë dhe nuk u përfill mendimi i palëve të interesuara dhe nuk u thirr asnjë sindikatë. Ky ligj rëndon më tej problematikën e pensioneve dhe është një tjetër shkelje e hapur e të drejtave të njeriut, në përpjekje për të kthyer kohën e shfrytëzimit të minatorëve për të paguar veprat propagandistike të kryeministrit”, tha Vokshi.
Për deputetin Sherefedin Shehu, projekti rrit barrën për biznesin dhe ul të ardhurat për minatorët. “Minatorët do të paguajnë për 5 vitet e daljes më herët në pension. Ndërkohë, po të shikojmë statistikat kemi të bëjmë me një rënie ekonomike, të konsumit dhe më e keqja është se kemi një rritje të shportës së konsumit që e konsumojnë të gjitha shtresat, pavarësisht të ardhurave. Me këtë ligj qeveria po u pakëson të ardhurat minatorëve dhe ndërkohë është një sistem pensionesh i padrejtë”, deklaroi Shehu.
Në vijim të mbledhjes, deputeti demokrat Kozma Dashi u shpreh se “naftëtarët po flaken dhe po u mohohen të drejtat”. Sipas tij, ky është një projektligj farsë. “Shqetësimi im është që së fundmi, 600 naftëtarë, të cilët duhet të përfitojnë në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, po enden dyerve të gjykatave të Fierit. Konkretisht, 200 të parët kanë fituar gjyqin me Albpetrolin, pasi me makinacione nga më të çuditshmet, Albpetroli u ka mohuar vjetërsinë dhe u njeh vetëm atë pas vitit 1999. Është një paradoks, njerëzit kanë punuar në sektorin e naftës nga 30-40 vjet, dhe çuditërisht marrin kontribute vetëm nga kjo”, tha ndër të tjera demokrati Dashi. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





