

Tiranë, 5 nëntor 2014, NOA.al – Kreu i partisë më të madhe opozitare në vend, Lulzim Basha, në një shkrim të tijin shprehet se Kryeministri Edi Rama “mbrojti vrasësin”, prindërit e së cilit i ka miq të ngushtë, ndërsa shton se opozita ka një mision më të rëndësishëm që është “lufta për të vërtetën”.
Duke thënë se kryeministri po e kthen në zakon bishtnimin nga faktet dhe ka gjetur rrugën më të shkurtër, sulmin ndaj opozitës, Basha shkruan “aspak nuk e shpëton kjo nga diskreditimi publik, aspak nuk e ndihmon në krizën morale e të besimit ku gjendet”.
“Në një ngjarje të rëndë 4 qytetarë mbetën të vrarë, nga djali i miqve të Kryeministrit, siç e cilësoi vetë me krenari, i cili ishte në kërkim dhe nuk ndalohej nga policia. Me precedent të fortë kriminalë, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, vrasësi, i biri i miqve të Kryeministrit, bridhte lirshëm në Tiranë, i armatosur, madje kishte krijuar dhe bandën e tij. Nga i vinte ky imunitet këtij vrasësi, që nuk ndalohej nga policia edhe pse kishte urdhër për të?”, – pyet kreu i Partisë Demokratike në një shkrim të tijin në rrjetin social Facebook.
Ndërsa fakton se më 26 prill të këtij viti, vrasësi, djali i miqve të Edi Ramës, ishte shpallur në kërkim, Basha pyet se “pse nuk arrestohej ai”, dhe vetë jep përgjigjen duke u shprehur “E tha vetë Kryeministri; prindërit e tij i ka miq të ngushtë. Ky është fakti, më kokëfortë nuk mund të bëhet”.
Sipas Lulzim Bashës, nëse Policia nuk do të tërhiqej para lidhjeje e miqësive të Kryeministrit, vrasësi do të ishte atje ku e ka vendin sipas ligjit dhe sot nuk do të kishim viktima, dramë në 4 familje, e një shoqëri të tërë të tronditur nga pasiguria publike.
Për kreun e PD-së, është e kuptueshme revolta që ka shkaktuar në publik kjo ngjarje. “Shigjetat janë drejtuar ndaj Edi Ramës. Nuk e fsheh dot përgjegjësinë që ka në këtë histori. Është i lidhur me turp me këtë ngjarje të rëndë. Dhe çfarë bën? Sulmon opozitën”, – shkruan Lulzim Basha.
Ai bën me dije më tej se nuk e mbrojti opozita vrasësin nga aksioni i policisë në Lazarat.
“Nuk e ndaloi opozita policinë që ta prangoste pasi ishte shpallur në kërkim. Nuk e solli opozita të kërkuarin nga drejtësia, me helikopter ushtrie drejt e në oborrin e parlamentit për ta tundur para kamerave si argument politik. Opozita po bën detyrën për interesin më të lartë të qytetarëve. Denoncimin e lehtësisë që gjen krimi, dhe lidhjes së drejtpërdrejtë që ka me qeverinë, me Kryeministrin vetë”, – vijon shkrimin e tij Lulzim Basha.
Kreu i PD-së thotë se opozita ka një mision më të rëndësishëm që e udhëheq. “Lufta për të vërtetën, beteja e përditshme për dekriminalizimin e qeverisë, administratës dhe parlamentit. Përpjekja çdo orë për interesat e qytetarëve të vendit. Sigurisht Edi Rama do të donte një opozitë si ajo që përshkruan me baltë të ulët e banalitet pervers. Iluzion do ti mbetet”, përfundon shkrimin e tij, i cili është edhe një kundërpërgjigje nga Kryeministrit Rama. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





