Transmetuar më 05-11-2014, 15:16

Tiranë, 5 nëntor 2014, NOA.al- Presidenti Bujar Nishani priti në një takim Prokurorin Kombëtar të Antimafias Italiane, Franco Roberti.

Presidenti Nishani, vlerësoi mbështetjen e institucioneve italiane ndaj Shqipërisë në proceset demokratike, konsolidimin e shtetit ligjor dhe zhvillimin institucional.

Një vëmendje të veçantë në takim zuri diskutimi në lidhje me bashkëpunimin e deritashëm dhe atë në vijim në luftë kundër krimit të organizuar, mafias dhe formave të ndryshme të krimit në përgjithësi.

Ndër të tjera, Presidenti Nishani vlerësoi se marrëdhëniet e mira ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Italisë përbëjnë një bazë të fortë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis institucioneve ligjzbatuese në dy vendet respektive.

Kreu i Shtetit, në vlerësim të punës dhe arritjeve të Institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, shprehu vullnetin në tërësi që ekziston tek institucionet shqiptare për të luftuar krimin e organizuar.

Presidenti kërkoi mbështetjen e Prokurorit Kombëtar të Antimafias Italiane, të institucioneve ligjzbatuese të shtetit Italian për vijuar dhe forcuar bashkëpunimin e deritanishëm me institucionet ligjzbatuese në Shqipëri si dhe në dhënien e asistencës për rritjen e kapaciteteve të prokurorëve shqiptarë, çka gjeti miratimin e plotë të Prokurorit Roberti.

Në këtë kontekst u shpreh se, “Nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit, firmosur sot, është një hap për t’u vlerësuar që shkon në favor të rritjes së bashkëpunimit midis dy institucioneve dhe që synon luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar në Shqipëri, Itali dhe me gjerë”.

Nishani dhe Roberti ndanë qëndrimin se çelësi i suksesit në luftën ndaj krimit të organizuar, mafias dhe krimit në tërësi është bashkëpunimi efikas i institucioneve ligjzbatuese si dhe harmonizimi sa më i mirë i kuadrit ligjor midis dy vendeve./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit