Transmetuar më 05-11-2014, 14:55

Tiranë, 5 nëntor 2014, NOA.al- Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, deklaroi sot se buxheti i shtetit për vitin tjetër do të subvencionojë më pak skemën e pensioneve dhe fondin pensional, por se lehtësitë janë brenda fundit të këtij viti.

Në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Veliaj informoi se nga 1 janari fillon skema e re e pensioneve, e cila siç tha ai e çon hakën tek i zoti, ku sqaroi se për çdo njeri, vitet e punës shumëzohen me pagën mesatare të të gjithë jetës së vet, për të prodhuar përqindjen e pensionit që dikush do të ketë në pleqëri.

Veliaj shtoi më tej se në parlament kalon nesër ligji për pensionet e minatorëve, nga i cili do të përfitojnë menjëherë 3820 minatorë, kryesisht  në zonat dhe në rrethet e Shqipërisë ku ka miniera, ku bëri me dije se Tirana është ajo që kryeson, pastaj Bulqiza dhe i gjithë rrethi i Dibrës dhe disa rrethe të tjera të Shqipërisë.

Sipas ministrit, skema e minatorëve e ul menjëherë moshën e pensionit me 5 vjet për minatorët, ndërkohë që rrit pensionet dyfish për disa prej tyre dhe për disa të tjerë trefish, krahasuar me trajtimin  e veçantë që ata marrin sot.

Si pjesë të rëndësishme të skemës është shëndoshja e skemës së pensioneve për pensionistët e fshatit, për të cilën tha se skema sot ka 290 mijë të siguruar në fshat që deklarohen të vetëpunësuar në sektorin bujqësor të fshatit.

“Vendimi i Këshillit të Ministrave është që t’i çojë përpara Parlamentit një projektligj, i cili fal kamatëvonesat dhe gjobat për 290 mijë qytetarë shqiptarë banues në fshat, për pensionet  dhe vitet e sigurimeve shoqërore të papaguara, në fshat. Dua t’u bëj me dije që kjo është amnistia e fundit, duke qenë se në datën 1 janar futet një ligj i ri dhe nuk do të ketë më amnisti, por formula e re do të zbatohet me korrektesë. Për të kuptuar se për çfarë detyrimesh po flasim, dua t’u bëj me dije se nga viti 1994 deri në vitin 2001 për të siguruar një vit për efekt pensioni në fshat, pagesa ka qenë vetëm 15 dollarë. Kjo do të thotë që për të paguar sigurimet shoqërore të viteve 1994-2001, në total, duhet paguar vetëm 120 dollarë për të siguruar rreth 8 vite pension”, tha Veliaj.

Ai informoi se nëse ka qytetarë shqiptarë nga këta 290 mijë, të deklaruar të vetëpunësuar, që kanë nevojë të mbushin detyrime të papaguara, boshllëqe që kanë lënë në vitet kur nuk kanë paguar sigurimet shoqërore për arsye të emigracionit ose për arsye të sipërmarrjes së tyre në fshat, ky është një moment ideal.

Veliaj bëri me dije se afati është data 31 dhjetor, për të paguar pa kamatë, për të paguar pa gjobë me kosto shumë të ulëta të gjitha vitet e pensionit, ose boshllëqet e pasiguruara, si e vetmja mënyrë për të patur një pension dinjitoz, sa dhe pensioni i qytetit me formulën e re, duke filluar nga viti tjetër.

Ministri deklaroi se përfitues të tjerë të kësaj amnistie për të blerë vitet e pensionit, pa asnjë detyrim shtesë, pa gjobë dhe kamatvonesë, janë gjithashtu emigrantët shqiptarë, ku shtoi se bëhet jo pa qëllim në fund të vitit, duke qenë se emigrantët vijnë për të vizituar Shqipërinë për festat e fundvitit.

Veliaj bëri me dije se nga data 1 janar, duke qenë se hyn në fuqi një ligj i ri, një formulë e re, që do të japë pensione më të larta, që ka shëndoshur skemën, duke ulur subvencionin që jep shteti, për ta rimëkëmbur financiarisht këtë skemë, nuk do të ketë më mundësi as ligjore për të bërë një amnisti të kësaj natyre.

Ai informoi se pas 1 janarit do të aplikohen gjoba, do të aplikohen kamatëvonesat për çdo sigurim shoqëror të papaguar dhe të prapambetur dhe të viteve të kaluara./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit