Transmetuar më 05-11-2014, 13:27

Londër, 5 nëntor 2014, NOA.al- Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni deklaroi nga Anglia se njohja e Shqipërisë, si destinacion turistik, është një sfidë e qeverisë shqiptare.

Ministrja Gjermeni, e pranishme në Panairin e WTM, Londër 2014, bëri të ditur nismat e ndërmarra nga Qeveria Shqiptare dhe ministria që ajo drejton, në sektorin e turizmit.

“Këtë vit, Shqipëria, vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit, u vizitua nga mbi 1 milion turistë dhe krahasuar me të njëjtën periudhë në 2013, numri i turistëve ka pasur një rritje me 24%. Ajo çka bie në sy, është një rritje e konsiderueshme e turistëve nga Polonia, me rreth 14,000, vendet skandinave, me rreth 12,000 dhe Britania e Madhe me rreth 27,000 vizitorë. Synimi ynë, është njohja e Shqipërisë si një destinacion turistik. Për të rritur numrin e fluturimeve direkte, jo vetëm gjatë sezonit veror dhe fillimin e fluturimit të linjave me kosto të ulët, së bashku me Ministrinë e Transporteve, ndaj kemi nisur negociatat për hapjen e një aeroporti të dytë”, u shpreh Gjermeni.

Sipas saj, rritja e numrit të investimeve të huaja direkte në Shqipëri, në sektorin e turizmit, përmirësimi i infrastrukturës turistike dhe rritja e cilësisë së shërbimit, janë pjesë integrale e një seri politikash dhe nismash ligjore të ndërmarra, rishtazi, në funksion të industrisë së turizmit.

E gjithë Qeveria është e angazhuar, u shpreh ministrja, për të rritur investimet publike në sektorë të ndryshëm: si bujqësia, zhvillimi urban, infrastruktura, të cilët, në mënyrë direkte, japin impakte pozitive në zhvillimin e qendrueshëm të sektorit të turizmit.

E pyetur se cila do të jetë mënyra e promovimit të Shqipërisë në të ardhmen, Gjermeni u përgjigj se “Njohja e Shqipërisë, si destinacion turistik, është një tjetër sfidë e jona, ndaj në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, sektorin privat dhe ambasadat tona, kemi intensifikuar prezantimin e Shqipërisë si një destinacion turistik i detit, kulturës, turizmit të aventurës, turizmit rural dhe malor.

Pyetjes së “Travel Channel”, për të cilët Gjermeni dha një intervistë, në përfundim të konferencës për shtyp, mbi çfarë e bën Shqipërinë një destinacion unik, ajo u përgjigj se “Shqipëria, edhe pse një vend i vogël në zemër të Ballkanit, ofron për vizitorët pushime aktive, një ndërthurje të turizmit të detit dhe rërës me turizmin e kulturës dhe aktiviteteve sportive rikreative. “Mikpritja dhe kuzhina e pasur janë një arsye, më tepër, për të vizituar dhe njohur Shqipërinë”./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit