Transmetuar më 05-11-2014, 12:59

Tiranë, 5 nëntor 2014, NOA.al- Partia Demokratike akuzoi Kryeministrin Edi Rama si përgjegjës për krimin e katërfishtë të ndodhur në kryeqytet.

Në një dalje nga selia blu, deputeti Aldo Bumçi deklaroi se Edi Rama është para një përgjegjësie publike që e lidh me vrasjen e katërfishtë në Tiranë dhe duhet të japë llogari.

Duke ngritur disa pyetje, Bumçi tha, “Përse vrasësi ishte i shpallur në kërkim nga policia për vepra të rënda penale dhe nuk ndalohej? Kush e kishte porositur Policinë të mos zbatonte urdhërin për ndalimin e vrasësit? Kush i kishte dhënë imunitet vrasësit që të bridhte lirshëm me pistoletë në brez? Pse ishte i paprekshëm vrasësi, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe autor i një vrasjeje tjetër? Edi Rama ka përgjegjësi për vrasjen dhe duhet ta mbajë këtë përgjegjësi”.

Ai u shpreh se Kryeministri është kthyer në një xhelat të qytetarëve të pamundur të vendit, që burgos çdokënd që rregullon çatinë, që shemb e bën gërmadha banesat e fukarenjve, rrënon dyqanet me të cilat ushqehen familjet, që rras brenda e dhunon të varfërit se nuk paguajnë energjinë pse s’kanë bukë të hanë, duke u sjellë me shqiptarët si komandat nazist.

Bumçi shtoi më tej se Kryeministri jep privilegje, jep mbrojtje, jep licencë për një vrasës, ndërsa shtoi se ai që jep imunitet për një vrasës është rrezik për gjithë shoqërinë nuk mund të fshihet më pas retorikave boshe e sulmeve ndaj opozitës, por duhet të japë llogari./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit