



Tiranë, 5 nëntor 2014, NOA.al- Si shenjë falenderimi për kapjen e autorëve të dyshuar në vrasjen e katërfishtë në kryeqytet, kryepolici i shtetit Artan Didi, ka takuar efektivët e përfshirë në aksion.
Rreth orës 10.00 të paradites së sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi, zhvilloi një takim në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, efektivat e Patrullave Shqiponja dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë, të cilët morën pjesë në kapjen e autorëve të dyshuar të ngjarjes kriminale, të ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme.
Në fjalën e rastit Didi tha, “Ishte vërtet e nevojshme t’ju falenderoja nga afër, për veprimet e shpejta dhe profesionale mbi ngjarjen. Të gjithë ne, kemi filluar një jetë tjetër, duke marrë përsipër barrën e përgjegjësisë për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, në paqe, por mbi të gjitha pa frikë. Pa frikë nga krimi, nga korrupsioni dhe nga paligjshmëria. Një shoqëri, ku ligji zbatohet në mënyrë të barabartë, duke ju kërkuar që të jeni rojtarët e vlerave të përbashkëta. E pashë të nevojshme dhe të domosdoshme t’ju takoja dhe t’ju falenderoja për veprimet e djeshme. Nga shpejtësia dhe shkathtësia Juaj, nga guximi i patrullave dhe Repartit Shqiponja, ku u finalizua me kapjen e autorëve, sigurimin e provave në vendngjarje por dhe gjithë veprimet e kryera, treguan që kemi një polici që ka filluar të vetëveprojë dhe jo të pres urdhëra nga eprorët”.
Në vijim ai shtoi se policia po maturohet dhe po jep rezultatet e duhura, ndërsa nënvizoi se veprimi i djeshëm duhet të motivojë dhe të gjithë efektivat e tjerë si dhe të bëhet shembull në çdo komisariat duke promovuar vlerat.
Duke e cilësuar ngjarjen si shumë të rëndë, Didi tha se me reagimin e bërë u tregua se Policia e Shtetit është në këmbë dhe ju përgjigjet këtyre situatave me profesionalizmin e duhur.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e mbylli fjalën e tij duke thënë, “Takimi i sotëm ka për qëllim motivimin tuaj, duke ju dhënë mbështetjen e duhur, por ngjarja e djeshme do të analizohet më në detaje, duke nxjerrë qoftë veprimet pozitive të reagimit të policisë por edhe çfarë ka për të përmirësuar në drejtim të parandalimit të ngjarjeve kriminale”./a.y/noa.al/
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





