Transmetuar më 04-11-2014, 19:30

Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter fajësoi indirekt UEFA-n për incidentet që ndodhën në ndeshjen Serbi-Shqipëri.

Numri një i trupës qeverisëse të futbollit botëror me diplomacinë e tij u shpreh se UEFA duhet të kishte evituar shortimin e dy përfaqësueseve në të njëjtin grup, ndërsa preku temën e incidenteve që ndodhën gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, gjatë një interviste të gjatë dhe shumë planëshe për televizionin rus “Russia Today”.

Në studion e gazetares, Sophie Shevarnadze, gjatë një bashkëbisedimi ku tema kryesore ishte Botërori i vitit 2018 që do të luhet në Rusi, shefi i FIFA-s u pyet dhe mbi çështjen e bojkotit të propozuar nga disa vende për Kupën e Botës që do të zhvillohet pas 4 viteve, si përgjigje ndaj politikës së jashtme të Rusisë.

Blatter u përgjigj se FIFA nuk ka asnjë dyshim që Botërori do të zhvillohet në Rusi, duke u shprehur kundër idesë së bojkotit.

Blatter arsyetoi se politika nuk duhet të abuzojë me futbollin, por mund ta ndihmojë duke sjellë si shembull faktin se FIFA po përpiqet që Izraeli dhe Palestina të luajnë ndeshje ndëmjet tyre dhe në këtë pikë politika mund të ndihmojë, duke sjellë dhe reagimin e gazetares ruse që preku temën e ndeshjes Serbi-Shqipëri.

Edhe pse i shprehur në mënyrë të kujdesshme, qëndrimi i Blatter në një pikë është i qartë: UEFA nuk duhet të kishte lejuar Shqipërinë dhe Serbinë në të njëjtin grup.

Ky qëndrim vjen në një kohë kur vendimi i Komisionit të Etikës dhe Disiplinës në UEFA, ka shkaktuar në të njëjtën kohë habi dhe pakënaqësi në mbarë opinionin ndërkombëtar me vendimin e tij për t’i hequr tre pikë përfaqësueses së Shqipërisë, që ishte pala e dëmtuar në Beograd, ku u bë objekt i dhunës dhe fyerjeve raciste deri në thirrjet kolektive për genocid ndaj shqiptarëve gjatë ndeshjes me Serbinë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit