Transmetuar më 04-11-2014, 11:26

Tiranë, 4 nëntor 2014, NOA.al – Ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me ngjarjen e ndodhur tek rruga e Elbasanit mëngjesin e ditës së sotme, duke u shprehur se “Tirana u zgjua e përgjakur”. Ish kreu i demokratëve thotë se një ngjarje e tillë nuk do të kishte ndodhur nëse banda nuk do të kishte mbështetjen e qeverisë.

“Tirana sot u zgjua e përgjakur. 4 djem të rinj të vrarë nga një nga bandat e qeverisë në rrugën më të sigurt të vendi. Tirana sot nuk do të ishte e përgjakur dhe këto katër jetë nuk do të ishin marrë mizorisht sikur banda të mos kishte patur mbështetjen e qeverisë dhe imunitetin e parlamentit”, shkruan Zoti Berisha në Facebook.

Ai shton se policia hesht për masakrën e bandës, “por dëshmitarët dhe mediat pohojnë se ekzekutor kryesor i katër të rinjve është Kostandin Xhuvani, djali i deputetes Luiza Xhuvani, i cili pak vite më parë ekzekutoi afër shtëpisë së tij një bashkëmoshatar.

Në vijim ish kryedemokrati thotë se duke përdorur imunitetin parlamentar të nënës së tij, “vrasësi nuk vuajti as dhe një vit dënim”.

“Pas lirimit ai vendosi selinë në zonën elektorale të deputetes Xhuvani, bënte ligjin në këtë zonë dhe në ato përreth dhe ishte financues i PS dhe kryesor në drogë në Lazarat”, – shkruan Sali Berisha në rrjetin social Facebook.

Duke thënë se “ditën që e ëma e rrokte dhe puthej me të në mjediset e parlamentit”, Berisha shton se Kostantin Xhuvani “drejtonte daljen nga Lazarati të karvanit të trafikantëve”.

Në vijim të shkrimit të tij, Sali Berisha thotë se deputetë qeveritar socialist, Didi dhe fallanga e krimit po bëjnë gjithçka për ta nxjerrë duar-jashtë në këtë vrasje banditin e pushtetit.

“Ky akt makabër dëshmon se sot krimi dhe qeveria janë një e të pandarë dhe se Policia e Shtetit ka zero kontroll mbi krimin dhe se ajo i ka lëshuar krimit plotësisht territorin dhe kontrollin e tij”, përfundon shkrimin dhe qëndrimin e tij mbi këtë ngjarje Sali Berisha. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit