

Tetëdhjetë euro në muaj për tre vjet familjeve në të cilat mbërrin një fëmijë. Është ‘bonusi bebe’ i futur nga Qeveria Italiane në projektin e ligjit të Stabilitetit “për të inkurajuar lindshmërinë dhe për të dhënë kontribut në shpenzimet e nevojshme”.
Ndihmën do ta marrin edhe shumë familje emigrantësh, përfshirë ata shqiptarë. Teksti i mbërritur në Dhomën e Deputetëve, sanksionon bonusin për “bij shtetasish italianë, ose të një vendi anëtar të BE-së ose të qytetarëve jokomunitarë me leje qëndrimi sipas nenit 9 të dekretit legjislativ nr. 286 të 25 korrikut 1998”. Me pak fjalë, bonusi bebe parashikohet edhe për bijtë e të huajve që kanë lejeqëndrimi BE për qëndrues afatgjatë, apo kartë qëndrimi.
Shtrirja e të drejtës së bonusit edhe nënave apo baballarëve komunitarë apo jokomunitarë me statusin e qëndruesit afatgjatë nuk është gjest zemërgjerësie i qeverisë, por përmbushje e normativave evropiane për shërbimet sociale për të mos i lënë vend ndonjë ankimi të mundshëm për diskriminim, evidenton Shqiptari i Italisë. E ndoshta me këtë do të harrohet edhe dallimi i urryer i bonusit bebe i aprovuar në vitin 2006 nga qeveria Berlusconi, që u rezervohej vetëm bijve të italianëve.
Bonusi bebe do të jepet për çdo fëmijë të lindur apo të birësuar nga 1 janari 2015, me kusht që prindërit, gjatë vitit pararendës të kenë pasur të ardhura të përgjithshme bruto jo më të larta se 90 mijë euro. Ky tavan nuk vlen vetëm nëse i sapolinduri është fëmija i pestë (apo më shumë) i familjes.
Çeku prej 80 euro në muaj do të jepet deri në mbushjen e tre vjetëve të fëmijës apo të tre vjetëve të ardhjes së tij në gjirin e familjes (në rastet e birësimeve). Çeku nuk do të arrijë automatikisht në shtëpitë e të sapolindurve, por me kërkesë të paraqitur në INPS nga një prej prindërve, duke ndjekur një procedurë që do të përcaktohet me dekret.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





