

Franc Veliu thyen heshtjen dhe në faqen e tij zyrtare në facebook reagon ndaj ngjarjeve të fundit të ndodhura në klubin Flamurtari dhe mbi të gjitha në ambientin që e rrethon.
Ish kapiteni i kuqezinjve pranon gjithçka ka shkruajtur në rrjetet sociale duke evituar një intervistë telefonike.
Në letrën e hapur në profilin personal në Facebook, Veliu kërkon të sqarojë ecurinë e skuadrës duke pranuar përgjegjësitë e tij.
26 vjeçari shkruan si kapiten i skuadrës dhe del kundër atyre që i cilëson si pseudo analistë, të cilët me vetëdije harrojnë sakrificën dhe impenjimin për fanellën e Flamurtarit.
"Dua t’iu them, që secili nga ne lojtarët, ka bërë maksimumin për të ngritur sa më lart këtë fanellë.
Kemi qenë të përkushtuar në çdo aspekt. Jemi krenar dhe mbi të gjitha jam krenar, që përfaqësoj këtë fanellë dhe çdo aludim do të ishte tendencioz lidhur me këtë gjë.
Unë si kapiten kam marrë dhe vazhdoj të marrë përgjegjësitë e mia dhe respektoj çdo vendim të bordit drejtues.
Çdo ekip kalon momente të vështira të cilat shërbejnë për të njohur njerëzit që të mbështesin dhe e dyta për tu ngritur më të fortë.
Tani duhet të ngrihemi më të fortë dhe pa tifozerinë do të ishte e kotë, pa mbështetjen tuaj të dashamiresve të vërtetë. Për ta çuar Flamurtarin në vendin që e meriton”.
Në fund kapiteni Veliu e mbyll deklaratën e tij duke evidentuar se ky veprim është thjesht një detyrim moral ndaj tifozëve, dhe nuk ka asnjë hipokrizi në gjithë fjalët e shkruara.
"Dhe diçka, kjo nuk është autokritikë apo nje letër hipokrizie, ky është një detyrim moral që duhet ta bëja, si qytetar vlonjat, si futbollist dhe si kapiten.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





