

Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger konfirmon mungesën e mesfushorit Jack Wilshere për sfidën e Londrës kundër Anderlecht.
Në konferencën për shtyp, tekniku francez e pranoi se Theo Walcott do të jetë në dispozicion të tij pas një dëmtimi të gjatë që e mbajti jashtë fushave për shumë muaj.
“Ai është një lojtar unikal që bën diferencën në skuadër. Ka qenë një element i rëndësishëm për ne prandaj rikthimi në grup pas një kohe kaq të gjatë na ndihmon shumë. Walcott do të jetë një bonus për ne”.
Arsenali pret skuadrën e Besnik Hasit në “Emirates” pas suksesit 2-1 në Bruksel dhe tekniku e pranon se ai sukses i dha moral skuadrës së tij. “Ne e respektojmë kundërshtarin pasi ata zhvilluan një ndeshje shumë të mirë në Belgjikë. Falë një mrekullie të vogë arritëm të fitonim në minutat e fundit, por kjo erdhi edhe falë lojës cilësore që zhvilluam.
E dimë shumë mirë se çfarë na pret, prandaj do të zbresim në fushë për të marrë një tjetër fitore”. “Topçinjtë” renditen në vendin e dytë të grupit D me 6 pikë, por arritja e vendit të parë do të jetë një mision i vështirë me Borussian e Dortmundit që kryeson me pikë të plota. Gjithsesi, Wenger ka besim te djemtë e tij.
“Gjithçka do të varet nga rezultatet që do të arrijmë deri në fund, por kemi në dorë një mundësi të artë sepse ndeshjen tjetër do ta luajmë në shtëpi me Borussian.
Jemi në rrugë të mbarë dhe besoj se do të përfitojmë nga momenti pozitiv”. Në fund, trajneri francez bën një koment edhe për rikthimin e lojtarëve të dëmtuar, duke konfirmuar se dalëngadalë me rikuperimin e Olivier Giroud, Mathieu Debuchy e Mesut Ozil skuadra do të funksionojë edhe më mirë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





