Transmetuar më 03-11-2014, 18:03

Imami shqiptar nga Kosova, Ridvan Haqifi, që komandon xhihadistët shqiptarë në kuadër të organizatës terroriste Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë (ISIS), ka dhënë urdhër që të ekzekutohen të gjithë ata që ndihmuan në aksionin e inteligjencës për nxjerrjen nga Siria të Erion Zenës, fëmijës që ishte grabitur nga baba i tij, Arben Zena.

Këtë urdhër Ridvan Haqifi, i njohur si “Ridvan El-Albani”, e ka shpërndarë tek xhihadistët e përfshirë në konfliktin sektar në Siri dhe Irak, por edhe te pasuesit tyre jashtë territoreve të konfliktit, përfshirë ata në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Ky urdhër, është bërë i ditur përmes grupeve të mbyllura në rrjetet sociale, që është praktika e re e komunikimit të xhihadistëve. Teksti ishte: “Të vritet si i dalë nga feja, gjithsecili Murtedi që ndihmoi në këtë aksion”.

“Murtedi” (ish-myslimani), sipas mësimeve islame lejohet që të vriten dhe për këtë përdoren si fakt të gjitha burimet e së drejtës islame.

“Ridvan El-Albani” kërkon kokën e xhihadistit nga Drenica, Fitim Lladrovci, për të cilin beson që ka qenë i përfshirë drejtpërdrejtë në operacionin sekret me ane të të cilit u soll te nëna e tij fëmija Erion Zena.

Shërbimi sekret i Kosovës ka qenë e përfshirë në këtë aksion. Burime të këtij institucioni kanë bërë me dije se xhihadisti Fitim Lladrovci nuk ka qenë i përfshirë në këtë aksion, pasi ai nuk ka operuar në zonën nga ku është nxjerrë Erion Zena.

Fitim Lladrovci nga fshati Gllanasells i Drenasit, në dhjetor të vitit 2013, së bashku me Nexhdet Berishën kishte udhëtuar për në Turqi e pastaj nga aty kishte kaluar në Siri. Lladrovci ishte rikthyer në Kosovë përmes aeroportit “Adem Jashari” po atë muaj.

Në kthimin e tij ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi në shtëpinë e tij ishte gjetur një zoll (raketë dore) me një maskë të shkruar në gjuhën arabe, por ishte liruar, pasi është futur në procedurë të rregullt hetimore.

Që prej lirimit të tij, ai kishte vazhduar propagandën e tij, e cila bënte thirrje për përkrahje dhe bashkëngjitje në luftën e Sirisë përmes faqes zyrtare të “Facebook”-ut.

Në muajin maj të vitit 2014 Lladrovci kishte kaluar pikën kufitare Kulla për në Mal të Zi dhe prej atje kishte fluturuar në Stamboll dhe më pastaj sërish në xhihad në Siri.

Më vonë, ai ishte paraqitur vullnetarisht për të kryer “amelje” – sulm kamikaz, por nuk arriti që ta bënte këtë, ani pse i kishte përshëndetur të gjithë ndjekësit e tij në Facebook publikisht kur u nis për mision.

Grabitja e Erionit nga e ëma, është bërë në kuadër të lëvizjes xhihadiste të organizuar në Kosovë për dërgim të luftërave kosovarë në kampet e ISIS-it dhe krahut zyrtar të Al Kaida në Siri, Xhabhatu Al-Nusra.

Të dhëna të vjetra të CIA-s sugjerojnë se në Siri dhe Irak, si xhihadistë, janë përfshirë mbi 150 shqiptarë nga Kosova. Numri mund të jetë edhe më i madh, pasi disa prej tyre, sikurse Arben Zena, ishin kthyer dhe kishin marrë familjet e tyre edhe para se El-Bagdadi të lëshonte thirrjen e tij në ditën e parë të “Ramazanit 2014” për “hixhret” në shtetin e tij të ISIS (“hixhreti” është shpërngulja e shenjtë për t’u bashkuar në një shtet, në shtetin e Profetit Muhamed – sipas historisë islame).

Për ekzistencën e një lëvizjeje xhihadiste në Kosovë edhe Prokuroria e Shtetit ka nisur disa hetime antiterrorizëm. Deri tani janë futur në procedura penale afro 100 shtetas të Kosovës, nga xhihadistë të kthyer nga lufta në Siri e Irak e deri imamë të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) si dhe politikanë.

Në vetëm një aksion, Prokuroria e Kosovës pati arrestuar 40 shqiptarë të Kosovës, nga një grup prej 57 personash për të cilët kishte lëshuar fletë-arreste për pjesëmarrje në grupe terroriste dhje rekrutim për terrorizëm.

Në një tjetër aksion, javë më vonë, u arrestuan mbi 10 imamë të BIK-ut, njërës nga pesë bashkësitë fetare që i njeh Ligji për Liritë Fetare, dhe që prej më shumë se një dekadë (edhe në mënyrë të kontestuar nga oponenca e brendshme) drejtohet nga Naim Tërnava, një ish-zëvendësministër i Hashim Thaçit. Në mediat e Kosovës, këto ditë u raportua se edhe vetë Tërnava është intervistuar nga hetuesit e anti-terrorizmit për pranim të fondeve të dyshimta në bashkësinë fetare që ai drejton.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit