Transmetuar më 03-11-2014, 08:28

Tiranë, 3 nëntor 2014, NOA.al- Kryeministri Edi Rama ka komentuar incidentin e ndodhur në Beograd gjatë ndeshjes Shqipëri- Serbi, ku e cilëson të turpshëm reagimin e autoriteteve serbe.

Në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, kreu i qeverisë shprehet se ndjen keqardhje që politika në Beograd u shpreh me një gjuhë urrejtjeje kundër popullit të Shqipërisë, ndërsa shton se do të ishte ndjerë i turpëruar nëse incidenti i Beogradit do të kishte ndodhur në Tiranë.

“Jam vërtet i çuditur sesi një banderolë fluturuese mund të ngjallë një furtunë të tillë nacionaliste në një stadium futbolli. Më çudit edhe verbëria me të cilën reaguan mediat ndërkombëtare. Në vend që të përqëndroheshin tek thirrjet raciste të 30 mijë njerëzve që bërtisnin “vrisni shqiptarët”, i thanë publikut se një flamur hodhi në erë gjithë takimin. E turpshme! Nëse një banderolë serbe do të ishte ngritur në Shqipëri, nuk do të kishte thirrje raciste nga shqiptarët për një banderolë, dhe as qeveria nuk do të kishte akuzuar qeverinë serbe. Unë do të ndihesha keq për veten time si Kryeministër i vendit në rast se forcat e sigurisë nuk do të arrinin parandalonin trazirat dhe të mbronin lojtarët në fushë, ku nuk do të kishte asnjë tifozët serb, ju e dini se nuk ka pasur tifozë shqiptarë? E para dhe më kryesorja nuk do të akuzoja qeverinë e një vendi tjetër për diçka që i takon qeverisë sime. E dyta, ju siguroj se nuk do të ishte kënduar me kore raciste dhe asnjë lojtar nuk do të dhunohej me pretekstin se në stadium u ngrit një banderolë fluturuese. Dhe e treta, edhe nëse pranoj për hir të bisedës se gjithçka do të merrte një rrjedhë të tillë të dhunshme si në Beograd, as unë dhe as Presidenti i Republikës nuk do të kishim mbajtur fjalime të tilla fyese kundër popullit serb siç bënë autoritetet e Beogradit me popullin shqiptar”, deklaroi Kryeministri.

I pyetur nëse incidenti në Serbi ka dëmtuar marrëdhëniet mes dy vendeve, Rama thotë se e kundërta është e vërtetë, duke nënvizuar kjo ngjarje tregoi se sa e rëndësishme është që të kapërcehet e kaluara, dhe se duhet parë përpara drejt integrimit europian.

Në këtë linjë ai shton se, “E ardhmja jonë është Bashkimi Evropian. Shqiptarët kërkojnë atë që ne të gjithë kërkojmë dhe është ëndrra e një Europe të Madhe, jo një Shqipëri të Madhe ose Serbi të Madhe apo një Greqi të Madhe. Nuk mund të ketë të ardhme për ne më e rëndësishme se sa Ballkani të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian”.

Sipas kreut të qeverisë populli shqiptar tregoi kulturë evropiane pavarësisht thirrjeve raciste të serbëve, duke nënvizuar se Serbia është ende në Ballkanin e vjetër.

Ndërkohë lidhur marrëdhëniet Shqipëri- Greqi, ai thotë se nyuk ka stanjacion.

“Dua ta ftoj kryeministrin Samaras të vizitojë Tiranën. Kam shumë respekt për të dhe për atë që po tregon me detyrën e vështirë për të nxjerrë Greqinë nga kriza ekonomike. Kam shumë besim në qëllimet e tij të mira kundrejt Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe besoj se bashkë mund të bëjmë shumë gjëra, duke forcuar jo vetëm marrëdhëniet mes dy vende, por edhe marrëdhëniet rajonale”, deklaroi Rama./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit