Transmetuar më 01-11-2014, 21:01

Peqin, 1 nëntor 2014, NOA.al- Katër persona të cilët një vit më parë u bënë protagonistë të arritjes në burgun e Drenovës, kanë tentuar sërish arratinë mbrëmjen e sotme.

Admir Tafili, Genc Tafili, Gëzim Guri dhe Fran Marashi, kanë tentuar arratinë në burgun e Peqinit. Falë informacioneve të grumbulluara nga Prokuroria e Elbasanit dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Burgjeve u parandalua arratisja e tyre, duke u prangosur edhe pesë punonjës të burgut.

Gjatë ditës së sotme u arrestuan pesë punonjës të burgut të Peqinit dhe një person tjetër nga Shkodra, të cilët në bashkëpunim, iu kanë krijuar kushte të dënuarve që të tentonin arratinë. Efektivët e burgut u ndaluan nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit të dokumentave”, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Të arrestuarit janë:

-Avni Biça, 30 vjeç, me detyrë punonjës i policisë së Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Peqin.

-Gëzim Beheluli, 48 vjeç, me detyrë punonjës i policisë së IEVP Peqin.

-Bilbil Ymeri, 33 vjeç me detyrë punonjës i policisë së IEVP Peqin.

-Abedin Hitaj, 59 vjeç, me detyrë përgjegjës i sektorit të sigurisë së IEVP Peqin.

-Petrit Marnoj, dtl. 1983, me detyrë përgjegjës i sektorit ligjor së IEVP Peqin.

Nga ana e policisë së Tiranës u vu në pranga 34 vjeçari Jetmir Guzi, i cili dyshohet se është personi kryesor që i ndihmonte nga jashtë të dënuarit për të vënë në zbatim planin e arratisjes.

Kush janë 4 të dënuarit që tentuan arratinë

39 vjeçari Admir Tafili është dënuar me burgim të përjetshëm për plagosjen e ish-shefit të krimeve në Malësinë e Madhe, Prelë Pjetrushi, ngjarje e ndodhur në vitin 2001 dhe për vrasjen e dy vëllezërve të oficerit të policisë, Nikë dhe Gjovalin Pjetrushi, në mars të vitit 2012. Admir Tafili është vëllai i Genc Tafilit, i dënuar me 16 vite burg për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari. Admir Tafili ndodhej në burg që nga korriku i vitit 2002, kur policia mundi ta arrestonte atë të plagosur. Por, në mars të vitit 2012, pas një leje që i dhanë për të dalë nga burgu i Shënkollit në Lezhë, për të cilën u arrestuan dhjetë zyrtarë të këtij burgu, ai u arratis nga shtëpia e tij dhe vrau vëllezërit e ish-shefit të krimeve.

Ndërkohë 37 vjeçari Fran Marashi, është dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Urës Vajgurore, ku ka vrarë katër policë, një qytetar dhe ka plagosur dy efektivë të tjerë. Sakaq 36 vjeçari Gëzim Guri, 36 vjeç, është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje në rrethana cilësuese. Bashkë me një shokun e tij akuzohet se ka kryer një vrasje në ambientet e burgut të Burrelit, ku vuante dënimin për një tjetër vepër penale. Ngjarja ka ndodhur më 20 mars të vitit 2002, ku është vrarë 37 vjeçari Fetah Kaçani, i cili ishte i dënuar me 25 vjet burg për një vrasje./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit