

Tiranë, 1 nëntor 2014, NOA.al – Kreu i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht edhe kryetari i partisë më të madhe opozitare në vend, gjatë përurimit të rrues “Pasho Hysa” në kryeqytet, është shprehur se kush e mendon pushtetin si kalin që i ka hipur, shumë shpejt do të ndeshet me gjykimin popullor.
“Ata që e mendojnë pushtetin si kali që u ka hipur dhe mendojnë si t’jua vështirësojnë jetën qytetarëve, gabohen rëndë dhe do të ndeshen me gjykimin popullor në Tiranë e anembanë. Qytetarët nuk votojnë pushtetarë për ti hipur kalit e për të përkeqësuar një gjendje të rëndë, por për të përmirësuar e për të gjetur zgjidhje, që Bashkia e Tiranës i ka”, ka thënë Lulzim Basha.
Kreu i Bashkisë së kryeqytetit u shpreh më herët se rruga “Pasho Hysa” është transformuar rrënjësisht dhe se janë bërë ndërtime të mëdha në këtë zonë. “Kam ardhur t’ju them se nuk mund të ndjej kënaqësi më të madhe ku bashkë me qytetarët në këtë zonë mund të shikojmë se sa shumë ka ndryshuar jeta e këtyre banorëve në krahasim me një vit më parë, ku kjo i përngjasonte një nga zonave më të varfra në vend”, është shprehur Basha.
Ai ka bërë me dije se hallet e problemet e qytetarëve janë të madha dhe se qëllimi i Bashkisë ë Kryetarit të Bashkisë së Tiranës është t’jua lehtësojë sa do pak ato.
“Kjo rrugë do të shërbejë si arterie e rëndësishme urbane. Do të rivlerësojë pronat e qytetarëve si dhe do të japë akses më të mirë të shërbimeve komunitare. Të ngjitesh është e vështirë. Të zbresësh është kollaj. Le ta mbajnë mend këtë para se të vijnë për votime pushtetarët”, – ka përfunduar Lulzim Basha. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





