

Një peshkatar në Durrës ka arritur të kapë një peshk gjigant të llojit “kerr” i cili peshonte plot 53 kilogramë.
Peshku që shikoni në foto u kap pasi u qëllua me pushkë deti, nga peshkatari që dallohet ta mbajë ndër duar, Thoma Berberi.
Prej vitesh në profesionin e peshkimit, Berberi tregon se ky është rast i veçantë që ky lloj peshku bie në kurthin e peshkatarëve.
Kerri i rrallë është kapur rreth 2 milje larg bregdetit të Porto Romanos, në rreth 11 thellësi detare.
Peshku i rrallë nga madhësia, është afërsisht rreth moshës 40-vjeçare dhe me gjatësi 1 metër e 55 centimetra.
Peshkimi nënujor është një nga pasionet e shumta të Thoma Berberit, eksplorator i bregdetit tonë dhe ideator prodhimi për mjete të kërkimeve dhe filmimeve në thellësi te ujërave.
Berberi është rreth 65 vjeç dhe që në moshën 12-vjeçare zhytet e gjuan në det. Këto ditë, në vazhdën e gjuetisë mbi 53 vjeçare që ushtron nën ujë, ka vendosur një rekord të ri në gjuetinë me pushkë deti.
Dhe rastësisht ka qëlluar një peshk të madh të llojit “Kerr”, me peshë rreth 53 kg, e barabartë me vitet e gjuetisë së tij.
Thomai thotë se anijet e peshkimit kanë arritur që të gjuajnë me rrjeta thellësie një peshk të tillë disa vite më parë, rreth 57 kg, ndërsa ky peshk që shikoni në foto është kapur pasi u gjuajt me pushkë deti. “Pasi e vumë në varkë, thotë ai, peshku volli një sqepot rreth 1,5 kg që e kishte ngrënë me sa duket pak minuta para se të qëllohej me pushkë deti”.
Peshku Kerr, kur është i vogël shkon në rreth 6-7 kg. Rreth moshës 10 vjeçare pjell vezë. Pas 7-8 viteve të ekzistencës si femër, ai kthehet në mashkull dhe ndërpret pjelljen. Pra është si të thuash, një peshk hermafrodit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





