
Koha e zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë, qe paralajmëruar, për të mos thënë, qe përcaktuar nga ish kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq. E tash, krijimi i institucioneve të Kosovës dhe ndërtimi i koalicioneve, po varet direkt nga Beogradi zyrtar, nga pasardhësi i Daçiqit, kryeministri Aleksandër Vuçiq. Skandalet e këtilla politike, janë neveritëse
Nga Ejup Gojnovci
Lista Serbe, arriti ta shtyjë seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, për t’u konsultuar me politikën e Beogradit zyrtar, pasi Lëvizja Vetëvendosje u bë pjesë e kampit që synon krijimin e qeverisë, ku subjekteve politike serbe kushtetueshmërisht u sigurohet pjesëmarrja. Ky është një shantazh tej mase i rrezikshëm. E ne merremi dhe na duket problem më i madh përfshirja eventuale e Lëvizjes Vetëvendosje në qeveri! Kur në dreq të mallkuar do kthjellemi të sillemi tamam si shtet, që vetë, keq apo mirë, të hidhërueshëm apo të pajtueshëm, të bëjmë punët tona, në shtëpinë tonë që e quajmë të pavarur e sovrane?
Shtyrja për një arsye të shëndoshë procedurale, mund të ishte edhe e mirëkuptueshme në varësi të rrethanave, por shtyrja me arsyetimin që ka bërë Lista Serbe është bojkotuese, shantazhuese, totalisht e paarsyeshme e madje edhe kërcënuese. Kjo lojë e ndyrë e bërë nga politika zyrtare e Serbisë përmes politikanëve serb të Kosovës, nuk duhet të lejohet më dhe gjendja duhet të ndryshoj. Jo vetëm për të mirën e qytetarëve shumicë në Kosovë dhe funksionalitetit të saj, por më së shumti për vetë serbët e Kosovës. Ndikimi i Beogradit i shtrirë mbi ta, ka krijuar varshmëri të tillë sa investimi pesëmbëdhjetëvjeçarë për integrimin e tyre po shkon huq. Edhe joshja, avancimi, krijimi i superfavoreve për komunitetet pakicë, veçmas atij serb, po shkon huq. Adresë e zgjidhjes së çdo problemi të secilit qytetar të vendit, pavarësisht nacionalitetit, duhet të jenë mekanizmat e Kosovës. Kjo arrihet duke bërë integrimin e plotë të njëmendë të pakicave, duke siguruar barazi të mirëfilltë për çdonjërin dhe duke ndërprerë favorizimin, apo siç është quajtur, diskriminim pozitiv të komuniteteve. Ndryshimi duhet të nis me ndryshimet kushtetuese.
Lehtësia e krijuar, sidomos për politikanët serb të Kosovës nga Kushtetuta e vendit, bën që po me kaq lehtësi ata të sabotojnë e siç po shihet edhe të kushtëzojnë ndërtimin e institucioneve të Kosovës. Këta politikanë, tashmë deputet, pozitat dhuratë po dëshmohet që s’i kanë fare problem t’i keqpërdorin, pikërisht për faktin se postet i kanë të falura. E gjithçka e falur, në mendësinë e ulët njerëzore, është e pavlerë, përkundër që do të duhej, dhe, ishte menduar se do të prodhohej e kundërta. Por po rezulton ndryshe e si pasojë, ata nuk po ndjejnë kurrfarë përgjegjësie ndaj atyre pak votuesve, sepse shumica nga ta marrin aq pak vota dhe bëhen parlamentar sa ta zëmë me një numër të tillë nënshkrimesh nuk do të mjaftonte të plotësoheshin kushtet as për regjistrim të një ekipi futbolli, e lëre më të fitohet ulëse në Kuvend, e më pas edhe poste ekzekutive në qeveri.
Prandaj, për të mirën e këtyre votuesve të politikanëve të minoriteteve, për të mirën dhe barazinë qytetare në këtë vend, ndryshimet kushtetuese ku s’do të kishte çfarëdo avantazhe për askënd, do të ishin hapi i parë që duhet ta bëjë Kuvendi i Kosovës.
Kjo nuk do të ishte e mundur pa votën e dy të tretave të parlamentarëve si tërësi dhe pa votën e dy të tretave të minoriteteve njëkohësisht, çka po ashtu paraqet një varshmëri direkete të padrejtë. Por, këto ndryshime duhet të bëhen dhe e mira do të ishte që të kërkohen nga vetë qytetarët serb e komunitetet tjera të Kosovës, pikërisht për të eliminuar mundësinë e keqpërdorimit të besimit nga përfaqësuesit e tyre. Politikanët serb të zgjedhur, në dallim nga politikanët dhuratëpërfitues, do të ishin më të përgjegjshëm dhe më të përkushtuar për të ndryshuar për të mirë jetën e bashkëkombësve, si rrjedhojë edhe të gjithë qytetarëve. Ata nuk do ta kishin prioritet dhe derë konsultimi në radhë të parë Beogradin zyrtar, por institucionet e Republikës së Kosovës, qytetarin e Graqanicës, Mitrovicës, të Shtërpcës, të Lipjanit apo kudo ata këndej jetojnë. Ndërsa politika e Kosovës, do të fitonte aleat të vërtetë në ndërtim të shtetit dhe jo të deleguar me miratim në Listat e bëra nga Serbia.
Të renditurit në këso Lista, janë borxhlinj besnikë të Beogradit zyrtar dhe gjithë kohën nuk e kanë në mendje qytetarin, por tentojnë të hyjnë në kokën e Vuçiqit, Daçiqit apo kujtdoqoftë nga politikanët e Serbisë, për të lexuar se çfarë mendojnë apo çfarë do të thoshin ata për çështje të caktuara të jetës politike në Kosovë. Si pasojë, ky lloj privilegji i ofruar, paraqet një varësi ekstreme për ta, një llogaridhënie për detyrat e marra, misionet e realizuara, porse jo në funksion të përmirësimit të jetës së përditshme të bashkëpatriotëve të tyre, por të ujërrjedhës sipas përcaktimeve të politikës destabilizuese të Serbisë kundrejt Kosovës. Këto dhe elemente tjera të ngjashme, po tregohen si dëme të mëdha për vendin. Andaj, qasja duhet të ndërroj e me të, të përfundojnë privilegjet.
Kjo do të ishte gjëja e parë e sigurimit të së drejtës së votuesit të partive minoritare dhe do të riparonte njërin nga gabimet dhe të padrejtën më të paprecedentë që nëpërmes Kushtetutës u bëhet votuesve shumicë të Kosovës. Normalisht, më nuk do të vendoste Serbia për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, as për koalicionet, as për ndërtimin e institucioneve, por do të mund të interesohej, sikur bëhet në gjithë botën demokratike, për përmirësimin e jetës së bashkëkombësve të saj në Republikën e fqinje.
Sa më ta varur që politikanët serb të Kosovës të jenë nga Serbia, aq më e zorshme dhe e papërmirësueshme do të jetë jeta për secilin qytetar të rëndomtë serb të vendit. Me këtë lloj politike, ata nuk i kanë të përfaqësuara direkt interesat e tyre në Kuvendin e Kosovës e as institucionet tjera.
Përcaktimi i agjendës shtetërore të Kosovës nga një grup i falur parlamentar i politikanëve serbë, që po inskenon abortimin e jetës institucionale në vend akoma pa nisur mirëfilli, duhet të jetë i papranueshëm.
*Analist politik, Prishtinë
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





