Transmetuar më 30-09-2014, 17:22

Lezhë, 30 shtator 2014, NOA.al – Kryeministri Edi Rama ka ndaluar sot në qytetin e Lezhës, në kuadër të inspektimit të programit kombëtar “Rilindja e qyteteve”, ku është shprehur se në këtë qytet, në 4 vite mandat, do të bëhet ajo që nuk është bërë në 20 vite.

“Unë ju siguroj se ne do t’i qëndrojmë zotimit, që në 4 vjet do të bëjmë për Lezhën, çfarë nuk është bërë në 20 vjet bashkë. Por jo vetëm kaq. Do bëjmë për Lezhën, çfarë do t’i japë mundësi të rejave dhe të rinjve dhe familjarëve në këtë qytet ta shikojnë të ardhmen këtu”, ka thënë Rama.

Ai ka bërë me dije se shumë shpejt, do të kurorëzohet projekti i madh i zonës industriale, që do të zhvillohet jashtë qytetit aktual, por që do t’i japë mundësi Bashkisë së re të Lezhës që të ketë një tjetër pol zhvillimi ekonomik.

Sa i takon rikonceptimit urban të qyteteve dhe hapësirat e gjelbra, Rama theksoi se është marrë një zotim që këto 4 vjet do të mbillen në Shqipëri, më shumë pemë se ç’janë  mbjellë në 20 vjet, të marra sëbashku.

“E dimë që kjo nuk mjafton për të kuruar të gjitha plagët e hapura nga shkatërrimi total, masiv, kudo që i është bërë pyjeve, që i është bërë rrugëve dhe çdo hapësire ku ka pasur gjelbërim, por jemi të bindur që kështu do të vendosim bazat e një Shqipërie të gjelbër dhe e komuniteteve ku gjelbërimi do të rikthehet të bëhet pjesë e jetës së tyre të përditshme, si shëndet dhe si shije”, ka thënë ndër të tjera Kryeministri në qytetin e Lezhës. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit