Transmetuar më 30-09-2014, 17:12

Raiffeisen Bank në Shqipëri festoi 10-vjetorin e saj në një event gala në ambientet e Pallatit të Brigadave me prezencën e klientëve, miqve dhe të ftuarve të tjerë. Në këtë event gala nderuan me pjesëmarrjen e tyre, Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank International, Karl Sevelda, Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank në Shqipëri, Christian Canacaris, Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Peleshi, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, Zv. Ministri i Financave. Erjon Luci si dhe personalitete të tjerë të institucioneve publike dhe financiare në vend, sipërmarrjeve të ndryshme në Shqipëri, etj.

Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank International, z. Sevelda vlerësoi në fjalën e tij përshëndetëse se në këto 10 vite të aktivitetit të saj në Shqipëri, Raiffeisen Bank ka pasur mundësinë të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit.

“Ne synojmë t’u ofrojmë klientëve tanë në Shqipëri të njëjtat standarde shërbimi të nivelit të lartë si ato në vendet e tjera Evropiane. Momente të rëndësishme të këtij zhvillimi ekonomik janë mbështetja që FMN dha së fundmi si dhe marrja zyrtarisht e statusit kandidat për në BE. Ne jemi krenarë që jemi pjesë e këtij transformimi, jo vetëm si një bankë por edhe si partner”, – theksoi Sevelda.

Gjithashtu z. Sevelda shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për të gjithë klientët dhe partnerët e biznesit për bashkëpunimin dhe mbështetjen e tyre dhe siguroi edhe një herë që Raiffeisen Bank do të vazhdojë bashkëpunimin dhe kontributin e saj në zhvillimin e mëtejshëm të tregut bankar shqiptar.

Zv. Kryeministri i Shqipërisë, z. Niko Peleshi përshëndeti të pranishmit në emër të Qeverisë Shqiptare dhe shprehu mirënjohjen e saj për të gjithë mbështetjen dhe kontributin që Raffeisen Bank i ka dhënë ekonomisë shqiptare dhe zhvillimit të saj si dhe tregut bankar në Shqipëri.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj në fjalën e tij vlerësoi rolin e rëndësishëm që Raiffeisen Bank ka pasur në zhvillimin ekonomik të vendit, në nxitjen e investimeve të huaja si dhe në mbështetjen e iniciativave të qeverisë në sektorët strategjike.

Ndërsa Zëvendës Minstri i Financave, z. Erjon Luci, i cili përshëndeti të pranishmit në emër të Ministrisë së Financave, ndër të tjera tha: “Është një kënaqësi e veçantë për mua të uroj bankën Raiffeisen në këtë 10 vjetor. Ajo që e bën këtë përvjetor të veçantë është fakti që ky privatizim shënoi një pikë kthesë për sektorin bankar shqiptar. Dhe ishte pikërisht ky privatizim strategjik që nxiti mobilizimin e një pjesë të madhe të kursimeve të qytetarëve shqiptar drejt sektorit privat duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit. Duke parë përpara, uroj që eksperienca pozitive e këtyre 10 viteve të vazhdojë edhe në të ardhmen me rritjen e gamës së produkteve dhe shërbimeve për konsumatorët shqiptarë.”

***

Raiffeisen Bank, pjesë e rrjetit Raiffeisen Bank International AG është banka më e madhe në vend me rrjetin më të madh të degëve, të bankomateve dhe të POS-eve (point of sales).

Raiffeisen Bank International bleu Bankën e Kursimeve në Shqipëri në 2004 dhe gjatë 10 viteve të kaluara e ka transformuar plotësisht Bankën e vjetër Shtetërore në një bankë me shërbime të plota që i shërben të gjithë sektorëve të biznesit dhe klientëve individë. Me dhënien e kredisë klientëve korporate dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, me trajnimin intensiv të stafit dhe ofrimin e produkteve të reja bankare, Raiffeisen Bank e ka përforcuar pozicionin e saj udhëheqës në treg, duke e sjellë shërbimin bankar në Shqipëri në një nivel që krahasohet me standardet Evropiane të shekullit të XXI-të. Raiffeisen Bank i shërben tashmë mbi 700,000 klientëve në Shqipëri. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit