Transmetuar më 30-09-2014, 14:27

Tiranë, 30 shtator 2014, NOA.al- Kryeministria ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit demokrat Arben Ristani, lidhur me takimin e katërt të Dialogut të Nivelit të Lartë, Shqipëri- BE.

Deklarata e Kryeministrisë bëhet nga Drejtor i Komunikimit të Kryeministrit, Endri Fuga, i cili shprehet se nuk është qëllimi i deklaratës që të tregojë kush është Arben Ristani.

Fuga shprehet se çdo shqiptar e njeh sepse është bërë personazh mediatik qoftë si i dënuar me burg për korrupsion, qoftë si vjedhës votash në krye të KQZ-së, por edhe qoftë si një folës përgjithësisht i dehur që merr përsipër të lëshojë “të fortat” e opozitës nga foltorja e Kuvendit ose e partisë.

“Kjo deklaratë është vetëm një detyrim ndaj opinionit publik për të ndarë keqardhjen lidhur me fjalorin e përdorur dje nga përfaqësuesi i opozitës në tryezën e Dialogut të Nivelit të Lartë ndaj kryeministrit të vendit. I cili, jo vetëm nuk i’u drejtua për asnjë çast zotit Ristani në sesionin e djeshëm, po përgjatë gjithë ndërhyrjeve të tij në të katër sesionet e DNL ka qenë plotësisht etik me opozitën, ashtu siç kanë qenë të gjithë anëtarët e qeverisë të pranishëm në tryezë. Dalja e sotme e deputetit famëkeq për të shpjeguar se pse përdori një fjalor të ulët në tryezën e DNL, shpjegon në fakt edhe ndodhinë e djeshme”, shprehet Fuga.

Ai shton se si sharjet e djeshme dhe ato që përfaqësuesi i Kryeministrisë i cilëson si shpifjet të sotme, flasin në të vërtetë për gjendjen e dehur të një opozite që shan të tjerët pse i merren këmbët.

“Dhe keqardhja është e pashmangshme kur dëgjon opozitën e vendit tënd të flasë me fjalorin e një të dehuri përpara të huajve dhe pastaj të  dalë të nesërmen e të akuzojë Kryeministrin pse asaj nuk i del pija që i ka humbur ekuilibrin”, përmbyll qëndrimin e tij Fuga, i cili sqaron gjithashtu se ka qenë dëshmitar okular i tryezës së Dialogut të Nivelit të Lartë.

Ristani: Rama në tryezë më opozitën për sy e faqe, i vërteti është ai që shan pas shpine

Deputeti demokrat, Arben Ristani, në një dalje për mediat, informoi lidhur me takimin e mbajtur me dyer të mbyllura gjatë Dialogut të Nivelit të Lartë, Shqipëri-BE.

Në fjalën e tij deputeti Ristani, deklaroi se takimi i djeshëm duhej të ishte dialog i nivelit të lartë, por Edi Rama e ktheu takimin e djeshëm në një bisedë të nivelit shumë të ulët.

“Meqenëse Edi Rama është dhe kontrollor i shumë mediave, po dal sot para jush për të sqaruar çfarë ndodhi konkretisht. Unë po i adresoja komisionerit Fyle shqetësimet e opozitës në lidhje me kapjen e institucioneve dhe gjendjen e rëndë të demokracisë në vend. Teksa unë flisja, Edi Rama kthehet pas shpinës time dhe më sulmon me një fjalor të padenjë për secilin qytetar të vendit, sigurisht krejt të padenjë për një kryeministër. Etika nuk na lejon që të riprodhoj këtu shpërthimin banal të Edi Ramës”, tha Ristani.

Ai shtoi se me qëndrimin e djeshëm, Edi Rama tregoi se ai gjendet sa për sy e faqe në një tryezë më opozitën, pasi në të vërtetë, vlerësimi i tij për Partinë Demokratike është krejt tjetër, është ai që shprehu nëpër dhëmbë dhe pas shpine.

Sipas Ristanit, qëndrimi i Ramës është moskonsiderimi i opozitës, shkelja e çdo konsensusi, prishja e bashkëjetesës politike, dhe goditja edhe fizike e përfaqësuesve të Partisë Demokratike.

Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se, “Edi Rama i vërtetë është ai që nuk keni parë dje në kamera. Ai i kameras është i shtirur dhe i pabesueshëm nga askush”./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit