Transmetuar më 30-09-2014, 11:40

Tiranë, 30 shtator 2014, NOA.al- Në një takim me temë “Një kapitull i ri për integrimin”, Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, deklaroi se Shqipëria ka ende sfida përpara.

Duke përshëndetur komisionerin për zgjerimin në BE, Stefan Fyle dhe mesazhet e përcjella prej tij në politikën shqiptare, Gjosha shprehu domosdoshmërinë për avancimin përpara në rrugën e reformave, lidhur me luftën ndaj korrupsionit, të drejtat e njeriut dhe një administrate sa më dinjitoze.

“Ndonëse të gjithë e dimë se në 5 vitet e ardhshme nuk do të ketë anëtarësim të vendeve të reja në Bashkimin Evropian, procesi i integrimit duhet të jetë intensiv dhe i pandalshëm. Në këtë kontekst perspektiva e përbashkët e Ballkanit Perëndimor do të jetë rezultateve nëse thellojmë bashkëpunimin rajonal në aspektin ekonomik e shoqëror , e për këtë çdo mbështetje e eksperiencë e shkëmbyer është e vyer”, tha Gjosha.

Ministrja nënvizoi se për të përshpejtuar procesin e integrimit na kërkohet gjithëpërfshirje e konsensus. Sipas saj, kërkohet konsensus i të gjitha palëve politike, bashkëveprim i gjithë aktorëve jo si pengesë por si një shtysë për mbarëvajtjen e reformave.

Në fjalën e saj kryetarja e Komisionit parlamentar të Integrimit, Majlinda Bregu, deklaroi se integrimi mbetet ende larg, për sa kohë që politika vendos si prioritare interesat e veta personale.

“Gjithpërfshirja është kërkesa e vazhdueshme e ndërkombëtarëve, në mënyrë që procesi i integrimit të jetë i besueshëm. Ajo që ka rëndësi është sa të besueshme janë që reformat na kanë afruar me BE. Reformat kërkojnë më shumë përpjekjet sesa retorikat politike. Duke qenë se kam qenë në këtë proces prej shtatë vitesh e di çfarë do të thotë të bësh tre hapa para e një pas”, deklaroi Bregu.

Sipas saj, Shqipëria është në një situatë anormale, madje e quajti si krizë politike.

Ajo u ndal te bojkoti i opozitës ndërsa shtoi se aktualisht ka nevojë për stabilitet dhe gjithëpërfshirje, ku tha se nëse vendosen vendosim interesat personale përpara integrimit, atëherëë procesi do jetë shumë i gjatë.

Clive Rumbold, përfaqësuesi i Bashkimit Europian në vendin tonë, deklaroi se Shqipëria duhet të punojë fort për të realizuar reformat dhe të dyfishojë përpjekjet, në mënyrë që të ketë qëndrueshmëri.

Si prioritare ai përmendi reformën në gjyqësor dhe luftën ndaj krimit dhe korrupsionit./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit