Transmetuar më 30-09-2014, 10:54

New York, 30 shtator 2014, NOA.al- Nё kuadёr tё pjesёmarrjes nё sesionin e 69-tё tё Asamblese sё Pёrgjithshme tё Kombeve tё Bashkuara, nё fund tё qёndrimit tё tij nё New York, Presidenti Bujar Nishani organizoi njё pritje, ku ishin tё ftuar  bashkatdhetarё, drejtues tё shoqatave tё diasporёs dhe personalitete  shqiptaro-amerikane me veprimtari të shquar atdhetare e shoqёrore.

Në takim ishte i pranishёm edhe Kongresmeni Eliot Engel. Presidenti vlerёsoi veprimtarinё e Këshillit Kombёtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) me Medaljen “Gjergj Kastrioti Skёnderbeu” dhe personalitetet e spikatura Anton Athanasi (pas vdekjes), Harry Bajraktari, Richard Lukaj dhe Nicholas Pano me Medaljen “Nderi i kombit”.

"Takimet me diasporën Shqiptare në Shtetet e Bashkuara janë përherë momentet më mbresëlënëse të agjendës time këtu në vendin të madh të demokracisë dhe lirisë në botë. E ndjej si një detyrim të përsëris me bindje dhe me përulësi mirënjohjen time, mirënjohjen e shtetit shqiptar dhe mirënjohjen e gjithë shoqërisë shqiptare për rolin historik të diasporës shqiptare të Amerikës në mbështetje të çështjes kombëtare shqiptare, pavarësisë së Shqipërisë, pavarësisë së Kosovës, të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, në Luginën e Preshevës, në Mal të Zi dhe në vende të tjera, për kontributin tuaj të çmuar gjatë viteve për të ruajtur virtytet, kulturën dhe traditat më të mira shqiptare si dhe për krijimin e imazhit të vërtetë dhe për rritjen e respektit për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët kudo ku ata jetojnë”, u shpreh Nishani.

Kreu i Shtetit tha se shqiptarët e Amerikës kanë treguar kapacitete të admirueshme për sa i përket përfitimit nga mundësitë e ofruara nga liria e demokracia për ta bërë ëndrrën amerikane realitet, duke shtuar se pavarësisht suksesit, ata asnjëherë nuk harruan rrënjët shqiptare, por vunë në dispozicion të kombit të tyre të origjinës energjitë mendore, aftësitë intelektuale, mundësitë që demokracia amerikane ofron dhe burimet e tyre financiare.

“Këtu kemi mes nesh shumë figura të shquara dhe unë dëshiroj të përmend disa prej tyre: Harry Bajraktarin, Jim Xhemën, Richard Lukajn, Nikolla Panon dhe të afërm të të ndjerit Anthony Athanas.Ata janë vetëm disa prej grupit të madh të personaliteteve të shquara të diasporës, të cilët kanë zhvilluar me punën dhe veprimtarinë e tyre histori suksesi për veten e tyre dhe familjet e tyre, të cilët kanë kontribuar për komunitetin, për kombin dhe për imazhin e shqiptarëve", tha ndër të tjera Nishani./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit